Shtetet e Bashkuara kanë propozuar zhvillimin e një takimi trepalësh me Ukrainën dhe Rusinë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës.
Propozimi u bë publik këtë të premte nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili sqaroi se bëhet fjalë për bisedime në nivel teknik dhe se Kievi është në pritje të një date konkrete nga Uashingtoni.
“Pala amerikane ka propozuar një takim në nivel teknik, në format trepalësh”, deklaroi Zelensky. Sipas tij, SHBA ka sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si vendin e mundshëm të zhvillimit të bisedimeve.
Nisma vjen pas takimit që Zelensky zhvilloi këtë javë me presidentin amerikan Donald Trump në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Dy presidentët diskutuan përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës së nisur me pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Pas takimit Trump-Zelensky, negociatorët ukrainas zhvilluan bisedime me homologët amerikanë për të diskutuar më konkretisht hapat e mundshëm.
Zelensky bëri të ditur se Kievi do t’i diskutojë propozimet me partnerët europianë, ndërsa Uashingtoni do të zhvillojë konsultime me Moskën.
“Ne do t’i informojmë dhe diskutojmë këto detaje me palën europiane, amerikanët do të flasin me rusët dhe pas 10 ditësh do të rikthehemi me një perspektivë të re ose me një rezultat”, tha presidenti ukrainas.
Edhe Kremlini deklaroi të premten se një takim trepalësh mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara mund të zhvillohet së shpejti. Megjithatë, deri tani nuk është njoftuar një datë dhe as nuk ka një marrëveshje përfundimtare për zhvillimin e tij.
Zelensky bëri të ditur gjithashtu se i kishte kërkuar Trumpit të diskutonte luftën në Ukrainë gjatë bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping. Kievi është ende në pritje të përgjigjeve nga pala amerikane, veçanërisht për hapat që synojnë uljen e tensioneve përpara dimrit.


