Kryeministri Edi Rama e ka përqendruar fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pothuajse tërësisht te Inteligjenca Artificiale, duke paralajmëruar se kërcënimi kryesor nuk është që makinat të dalin nga kontrolli, por që fuqia e tyre të përdoret nga njerëzit, shtetet apo rrjetet e gabuara për të manipuluar shoqëritë.
“Rreziku i menjëhershëm e më i madh nuk është se Inteligjenca Artificiale do të ndalet së binduri njerëzimit. Rreziku më i madh do të jetë që do t’i bindet në mënyrë të përkryer individit të gabuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri argumentoi se AI mund të shumëfishojë në shkallë të paprecedentë aftësinë e shteteve dhe aktorëve të tjerë për të prodhuar dezinformim, duke kombinuar, sipas tij, “shtrirjen e një qeverie, precizionin e një arme dhe intimitetin e një miku”.
“Sovraniteti nuk gërryhet më vetëm në kufi, por në feed-e”
Rama paralajmëroi veçanërisht për ndikimin e Inteligjencës Artificiale mbi demokracinë dhe proceset zgjedhore.
Sipas tij, manipulimi nuk kërkon më një televizion apo një mesazh propagandistik të njëjtë për të gjithë popullsinë, pasi teknologjia mund të krijojë përmbajtje të personalizuara për qytetarë të ndryshëm, bazuar në frikërat dhe bindjet e tyre.
“Sovraniteti nuk gërryhet më në kufi, gërryhet nëpër ‘feed-e’”, tha Rama.
Ai argumentoi se shtetet nuk duhet të mbrojnë vetëm territorin, ujërat apo hapësirën ajrore, por edhe kushtet në të cilat qytetarët formojnë opinionet dhe marrin vendimet e tyre.
Rama çon në OKB “Revolucionin e Flamingove”
Si shembull, kryeministri solli protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove” në Shqipëri.
Rama tha se në rrjetet sociale ishte fabrikuar një narrativë për një “pushtim izraelit të bregdetit shqiptar”, e cila, sipas tij, u personalizua dhe u shpërnda në forma të ndryshme për grupe të ndryshme qytetarësh.
Ai pranoi se protestuesit kishin arsyet e tyre për të protestuar, por pretendoi se në debat ishte futur edhe një “armik fantazmë” i krijuar përmes dezinformimit.
“Frika u shndërrua në zemëratë. Zemërata u shndërrua në mobilizim dhe trillimi u shndërrua në realitet politik”, deklaroi Rama.
Kryeministri e përshkroi këtë si shembull të mënyrës se si algoritmet mund të shfrytëzojnë ndarjet ekzistuese në një shoqëri. Pretendimi i tij mbi mekanizmin dhe aktorët pas kësaj narrative mbetet qëndrim i kryeministrit.
Diella dhe përdorimi i AI në qeverisje
Rama foli edhe për Diellën, sistemin e Inteligjencës Artificiale të përfshirë në arkitekturën qeveritare shqiptare, duke thënë se qëllimi nuk është transferimi i sovranitetit nga njerëzit te makinat.
Sipas tij, teknologjia duhet të përdoret për shërbime publike më të aksesueshme, procedura më transparente dhe rritjen e llogaridhënies.
“Asnjë makinë nuk mbart legjitimitet demokratik dhe asnjë algoritëm nuk trashëgon përgjegjësi kushtetuese”, tha Rama, duke këmbëngulur se pas çdo vendimi publik duhet të ekzistojë një institucion dhe një person që mban përgjegjësi.
Shqipëria propozon marrëveshje ndërkombëtare për AI
Në pjesën më konkrete të fjalimit, Rama bëri thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një Inteligjencë Artificiale “sovrane dhe demokratike”.
Sipas propozimit të tij, qytetarët duhet të informohen kur përmbajtja politike është gjeneruar ose manipuluar nga AI. Gjithashtu duhet të jetë e mundur të identifikohet se kush e ka krijuar, financuar, shënjestruar apo amplifikuar artificialisht një përmbajtje politike.
Rama kërkoi që përdorimi i AI nga institucionet publike të ruajë një zinxhir të qartë përgjegjësie njerëzore dhe ligjore.
Ai propozoi gjithashtu që demokracitë të ndërtojnë një sistem të përbashkët paralajmërimi të hershëm, përmes të cilit informacionet mbi operacionet e manipulimit të drejtuara nga AI të shkëmbehen me shpejtësi mes vendeve.
“Gënjeshtrat udhëtojnë pa viza. Algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë”, tha Rama.
“Nuk duhet të ndalemi, duhet të përshpejtojmë”
Pavarësisht paralajmërimeve, Rama u pozicionua kundër një ndalimi apo ngadalësimi të përgjithshëm të zhvillimit të Inteligjencës Artificiale.
Ai argumentoi se një moratorium i respektuar nga demokracitë nuk do të ndalte shtetet autoritare, rrjetet kriminale apo aktorët që përdorin teknologjinë për manipulim.
Në këtë pikë, Rama tha se presidenti amerikan Donald Trump “ka të drejtë” kur argumenton se zhvillimi teknologjik nuk duhet ndalur, por përshpejtuar. Sipas kryeministrit shqiptar, ky përshpejtim duhet të shoqërohet me sisteme të verifikueshme, transparente dhe të përgjegjshme.
Në përfundim, Rama e përkufizoi sfidën e Inteligjencës Artificiale jo si një betejë mes njerëzve dhe makinave, por si një përplasje mes qëllimeve të ndryshme njerëzore që teknologjia mund t’i shumëfishojë.
“Çdo brezi i bëhet thirrje të mbrojë lirinë në një territor ku liria është nën kërcënim. Për një brez territori ishte fushëbeteja, për një tjetër ishte kutia e votimit. Për tonin është shumë i qartë: është mendja njerëzore”, deklaroi Rama.
“Inteligjenca Artificiale nuk do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë apo manipulimit. Ne do ta vendosim. Makina do të bindet. Pyetja është kujt do t’i bindet?”, përfundoi kryeministri.


