PD propozon 100 bashki, Balla ironizon: Draft alternativ “retro”, ne vazhdojmë me propozimin tonë

25 Sep 2026 • 21:58
Shpërndaje:

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas depozitimit nga Partia Demokratike të propozimit të saj për reformën administrativo-territoriale, që parashikon një hartë me 100 bashki.

Balla e cilësoi nismën e opozitës si një draft alternativ “retro”, ndërsa ironizoi qëndrimin e demokratëve për punën e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.

“Pasi thanë se Komisioni i Posaçëm nuk e ka mbaruar punën, sot Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paska ardhur me një propozim alternativ (retro) për reformën administrative territoriale, falë konsultimeve të gjata në kuadër të punës së Komisionit. Ja pra Komisioni ia vlejti”, shkruan Balla.

Reklamë Ola

Sipas tij, drafti i opozitës duhet të kalojë tashmë procedurat parlamentare dhe t’u dërgohet për mendim këshillave bashkiakë dhe qeverisë.

“Siç e parashikon procedura parlamentare ky draft duhet t’u shkojë këshillave bashkiakë dhe Qeverisë për mendim. Duhet të marrë kohën e vet”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Balla bëri të qartë se ndërkohë mazhoranca do të vijojë me propozimin e saj, sipas kalendarit të përcaktuar nga Kuvendi.

“Ndërkohë vazhdojmë procedurën parlamentare me propozimin tonë, siç është përcaktuar në Kalendarin e Kuvendit”, tha kreu i grupit parlamentar socialist.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Komisioni i Posaçëm mund të ringrihet pas përfundimit të këtij procesi, maksimumi pas zgjedhjeve të ardhshme vendore, për të vijuar atë që e cilësoi si reformën e “bashkive europiane” në një nivel tjetër.

Dy partitë kryesore kanë paraqitur modele ndjeshëm të ndryshme për hartën e re territoriale. Propozimi i PS parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa PD kërkon zgjerimin e hartës në 100 bashki. Opozita ka propozuar gjithashtu ruajtjen e 12 qarqeve dhe organizimin në gjashtë rajone.

Sipas PD-së, modeli i saj nuk synon vetëm shtimin e numrit të njësive vendore, por një ndryshim të mënyrës së funksionimit të pushtetit lokal, me më shumë decentralizim, autonomi financiare dhe shërbime më pranë qytetarëve.

Përplasja mes dy modeleve pritet tashmë të zhvendoset në Kuvend, ku reforma administrativo-territoriale është futur në kalendarin e punimeve parlamentare.