Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar një takim me ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, me fokus te reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Në qendër të diskutimeve ishin objektivat përmbyllëse të Grupit 1 të negociatave, si dhe dy fusha kyçe për procesin e integrimit: lufta kundër korrupsionit dhe reforma e administratës publike.
Moreira de Sousa bëri të ditur se, në cilësinë e Pirdenit si Zëvendës Kryenegociatore, palët diskutuan çështjet dhe mundësitë kryesore për përmbushjen e objektivave të Grupit 1.
Ambasadorja rikonfirmoi njëkohësisht angazhimin e BE-së për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit.
“Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është e lidhur ngushtë me parandalimin dhe luftën e suksesshme kundër korrupsionit, si dhe me një administratë publike të përgjegjshme”, deklaroi Moreira de Sousa.
Edhe Pirdeni e cilësoi reformën e administratës publike dhe luftën kundër korrupsionit si dy fusha ku progresi duhet të matet me rezultate konkrete dhe të reflektohet drejtpërdrejt në marrëdhënien e qytetarëve me shtetin.
Takimi vjen ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e detyrimeve të procesit të negociatave, ku çështjet e shtetit të së drejtës, funksionimit të institucioneve dhe luftës kundër korrupsionit mbeten pjesë qendrore e procesit.


