Bill Gates ngre alarmin për AI: Është mjaftueshëm e fuqishme për të shkaktuar një miliard vdekje

25 Sep 2026 • 20:32
Shpërndaje:

Bill Gates ka dhënë një nga paralajmërimet e tij më të forta për Inteligjencën Artificiale, duke deklaruar se teknologjia ka arritur një nivel fuqie që, nëse bie në duart e njerëzve me qëllime të këqija, mund të shkaktojë katastrofa me përmasa të paprecedenta.

Në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të NBC News, që do të transmetohet të dielën, bashkëthemeluesi i Microsoft tha se AI është tashmë në gjendje të kontribuojë në ngjarje që mund të shkaktojnë deri në një miliard viktima. 

“Inteligjenca Artificiale është sigurisht mjaftueshëm e fuqishme për të çuar në ngjarje që shkaktojnë një miliard vdekje”, deklaroi Gates në fragmentin e intervistës të publikuar paraprakisht.

Reklamë Ola

Ai e lidhi rrezikun kryesisht me mënyrën se si teknologjia mund të përdoret nga njerëzit.

“Nuk ka pasur kurrë një armë aq të fuqishme sa kombinimi i njerëzve me qëllime të këqija dhe mjeteve më të fundit të Inteligjencës Artificiale”, paralajmëroi Gates. 

Reklamë InterMedika

Përballë këtyre rreziqeve, miliarderi amerikan kërkon ndërhyrje më të fortë të qeverive dhe vendosjen e rregullave të detyrueshme për kompanitë që zhvillojnë sistemet më të avancuara të AI. Sipas tij, industria nuk mund të mbështetet vetëm te vetërregullimi. 

Paralajmërimi vjen pasi Gates ka ashpërsuar ndjeshëm tonet për rreziqet e teknologjisë. Vetëm pak ditë më parë ai deklaroi se asnjë qeveri në botë nuk është e përgatitur sa duhet për ndryshimet që AI pritet të sjellë në shoqëri, duke përmendur humbjen e vendeve të punës, mundësinë e sulmeve dhe rreziqet që lidhen me varësinë nga sistemet e AI. 

Megjithatë, Gates nuk e sheh Inteligjencën Artificiale vetëm si kërcënim. Fondacioni Gates ka njoftuar se do të investojë të paktën 1 miliard dollarë gjatë dy viteve të ardhshme për përdorimin e AI në shëndetësi, arsim dhe bujqësi, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta. 

Mesazhi i tij është se potenciali i teknologjisë është jashtëzakonisht i madh në të dyja drejtimet: mund të përmirësojë jetën e miliarda njerëzve, por përdorimi keqdashës dhe mungesa e kontrolleve mund të sjellin pasoja katastrofike.