Putin flet për rikthimin në negociata me Ukrainën, por paralajmëron Kievin: Do të vuajë pasojat

25 Sep 2026 • 21:46
Shpërndaje:

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moska ishte e gatshme të rifillonte negociatat me Ukrainën pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi, por tha se sulmet e fundit të Kievit kanë ndikuar në qëndrimin e Kremlinit.

Duke folur të premten në Shën Petersburg, Putin pretendoi se Ukraina kishte shprehur gatishmëri për t’u rikthyer në procesin e negociatave rreth dy javë përpara zgjedhjeve ruse. Megjithatë, sipas tij, gjatë ditëve të votimit forcat ukrainase tentuan të godisnin Moskën dhe sulmuan qendra votimi. 

Putin tha se Rusia tashmë duhet të shqyrtojë me kujdes nëse rikthimi në tryezën e negociatave është në interesin e saj.

Reklamë Ola

“Të gjitha propozimet për një zgjidhje paqësore janë në tryezë, por ne duhet të mendojmë mirë se çfarë është në interesin tonë”, ishte në thelb mesazhi i presidentit rus. 

Ai pretendoi gjithashtu se kundërpërgjigjja ruse ndaj sulmeve ukrainase kishte qenë aq e fuqishme sa Kievi kishte kërkuar armëpushim. Putin përmendi edhe goditjet ndaj objekteve të kompanive ruse Ozon dhe Wildberries, duke paralajmëruar se Ukraina do të përballet me pasoja për atë që Moska i cilëson sulme ndaj infrastrukturës civile. Këto janë pretendime të palës ruse.

Reklamë InterMedika

Presidenti rus u ndal edhe te marrëdhëniet me Europën, duke mohuar se Moska po përgatitet për një konflikt të drejtpërdrejtë.

“Dua ta theksoj edhe një herë: ne nuk po përgatitemi për asnjë lloj veprimi ushtarak me Europën”, deklaroi Putin. 

Në të njëjtën dalje, ai foli edhe për marrëdhëniet mes fuqive të mëdha, duke përshëndetur dialogun mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.

Putin komentoi gjithashtu mundësinë e pjesëmarrjes së tij në samitin e APEC-ut, i cili do të zhvillohet më 18-19 nëntor në Shenzhen të Kinës. Ai tha se vendimi përfundimtar për udhëtimin do të varet nga situata në Rusi. Më herët, Kremlini kishte konfirmuar se është diskutuar edhe mundësia e një takimi mes Putinit, Trumpit dhe Xi Jinping në kuadër të samitit.