Wesley Clark: Mes shqiptarëve ndihem si në familje, guximi juaj solli ndryshimin në 1999

25 Sep 2026 • 18:25
Shpërndaje:

Ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, ka përcjellë një mesazh të fortë për shqiptarët dhe Kosovën gjatë mbrëmjes gala të organizuar në New York nga Albanian American Relations Council, ku u nderua me çmimin “Kalorësi i Skënderbeut”.

Në fjalën e tij, Clark foli për lidhjen e veçantë që ka krijuar ndër vite me shqiptarët, duke thënë se kudo që udhëton takon njerëz që e përshëndesin dhe i kujtojnë rolin e tij gjatë ngjarjeve të vitit 1999 në Kosovë.

“Sa herë që udhëtoj, kudo që shkoj, gjithmonë ka dikë nga Shqipëria. Ndihem si pjesë e familjes”, u shpreh Clark.

Reklamë Ola

Ai tregoi disa episode nga takimet me shqiptarë në Europë dhe SHBA, të cilët e kanë ndaluar në aeroporte apo restorante për ta falënderuar. Në një rast, sipas Clark, një shqiptar nga Kosova kishte këmbëngulur që ish-gjenerali të mos paguante darkën.

Por pjesën kryesore të fjalimit Clark ia kushtoi Kosovës dhe ngjarjeve të vitit 1999.

Reklamë InterMedika

Ai tha se e kupton rëndësinë që ndërhyrja e NATO-s vazhdon të ketë për shqiptarët, por këmbënguli që merita për ndryshimin historik nuk duhet t’i atribuohet vetëm Aleancës apo atij personalisht.

“Ishte kuraja juaj, përkushtimi juaj që bëri të ndodhnin të gjitha këto ngjarje të vitit 1999. Jo imi, juaji”, deklaroi Clark.

Ish-komandanti i NATO-s përmendi Adem Jasharin dhe rezistencën e shqiptarëve të Kosovës, duke e cilësuar guximin dhe vendosmërinë e tyre si pikënisjen e ndryshimit.

“Historia fillon me guxim. Fillon me guximin tuaj dhe vendosmërinë, me besimin në qytetërimin tuaj, gjuhën tuaj, kulturën tuaj, familjet tuaja”, tha ai.

Clark solli edhe një episod të lidhur me 24 marsin, datën kur në vitin 1999 nisi fushata ajrore e NATO-s. Ai tregoi se kishte pyetur një diplomate të Kosovës se përse përkujtohej pikërisht nisja e bombardimeve dhe jo përfundimi i tyre.

Përgjigjja, sipas tij, kishte qenë: “Sepse kur dëgjova zhurmën e avionëve të NATO-s, e dija se do të shpëtoheshim”.

Clark foli gjithashtu për përvojën e tij në konfliktet e viteve ’90, duke përmendur Ruandën dhe Bosnjën si ngjarje që kishin ndikuar thellësisht në mënyrën se si ai e shihte përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar përballë mizorive ndaj civilëve.

Ai kujtoi edhe negociatat e vitit 1995, ku kishte punuar së bashku me diplomatin amerikan Richard Holbrooke dhe ku, sipas tij, ishte ngritur edhe çështja e Kosovës me Sllobodan Millosheviçin.

“Biseduam me Millosheviçin për Kosovën. Ai tha: ‘Jo, ajo është imja. Nuk do të flas për këtë’”, rrëfeu Clark.

Duke folur për Ruandën, ish-gjenerali tha se kishte hartuar një plan për ndërhyrje kur shërbente në Pentagon, por se ai nuk kishte arritur deri te presidenti Bill Clinton. Clark tha se kishte jetuar me ndjenjën e fajit për atë që ndodhi dhe se përvoja kishte ndikuar në vendosmërinë e tij të mëvonshme.

“I thashë vetes: Kurrë, kurrë, kurrë nuk do të lejoj të ndodhë diçka e tillë, nëse kam një shans ta ndal”, u shpreh ai.

Mesazhi përmbyllës i Clark ishte një thirrje për të mos harruar unitetin dhe guximin që, sipas tij, sollën ndryshimet historike në Kosovë dhe çuan në ngjarjet e vitit 1999.