Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar një fotografi me Kryeministrin Edi Rama nga selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke shoqëruar postimin me një mesazh politik mbi arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit.
Sipas Ballës, nën drejtimin e Kryeministrit Rama, Shqipëria është ngjitur “në majën më të lartë të historisë së shtetit shqiptar”, ndërsa ka theksuar se vendi ka pësuar transformime të rëndësishme në forcimin e institucioneve, shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
“Transformimi i institucioneve, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë procese që kanë fituar vëmendje dhe vlerësim të shtuar nga partnerët tanë strategjikë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara”, shkruan Balla.
Në reagimin e tij, kreu i grupit socialist ka komentuar edhe zhvillimet në politikën e brendshme, duke deklaruar se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet përmes retorikës politike, por përmes institucioneve dhe mekanizmave që garantojnë transparencë, përgjegjshmëri dhe drejtësi.
Balla thekson se, pavarësisht debateve politike, rruga europiane e Shqipërisë ka hyrë tashmë në një fazë të re dhe se procesi i integrimit nuk mund të ndalet nga ajo që ai e cilëson si “propagandë dhe baltë politike”.


