BE reagon për çështjen e Vlora Hysenit: Besim i plotë te SPAK, po ndjekim nga afër zhvillimet

25 Sep 2026 • 18:22
Shpërndaje:

Komisioni Europian ka reaguar për zhvillimet që lidhen me ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, duke shmangur komentet për dosjen konkrete, por duke shprehur besim të plotë te SPAK.

I pyetur për çështjen, zëdhënësi i Komisionit Europian, Guillaume Mercier, deklaroi se Brukseli nuk komenton procedimet që janë ende në proces, por po ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës në Shqipëri.

“Ne nuk komentojmë çështje që janë në proces, por ajo që mund të themi është se ne i ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, fusha në të cilat Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, deklaroi Mercier.

Reklamë Ola

Zëdhënësi dha një mesazh të drejtpërdrejtë mbështetjeje për punën e Prokurorisë së Posaçme.

“Kemi besim të plotë tek aftësia e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e organizuar”, tha ai.

Reklamë InterMedika

Mercier bëri të ditur gjithashtu se Komisioni Europian vazhdon komunikimin me autoritetet shqiptare, ndërsa për një vlerësim më të gjerë të situatës në vend iu referua raportit të ardhshëm të zgjerimit.

“Sa i përket vlerësimit tonë për situatën, ju e dini që raporti për zgjerimin do të publikohet në javët në vijim”, deklaroi zëdhënësi.

Reagimi nga Brukseli vjen në një moment kur SPAK po zhvillon hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Ndaj Vlora Hysenit është vendosur masa “arrest në shtëpi”, ndërsa ajo është nën hetim për vepra penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.

Më 24 shtator, GJKKO vendosi vijimin e masës së “arrestit në shtëpi” ndaj Hysenit. Hetimet vijojnë dhe akuzat ndaj saj nuk përbëjnë një konstatim përfundimtar fajësie.