Projektligji për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve do të shqyrtohet në seancën plenare të Kuvendit më 17 shtator. Lajmin e bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Gogu deklaroi se Gjykata Kushtetuese ia ka njohur Kuvendit kompetencën për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve. Ai theksoi se standardet e kërkuara duhet të reflektohen edhe në shërbimet që ofron sistemi gjyqësor.
Ministri shmangu komentet për veprimet e institucioneve të pavarura, duke nënvizuar se magjistratët ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur.
“Magjistratët janë të pavarur. Unë nuk jam për të komentuar veprimet që kryejnë institucionet e pavarura të shtetit shqiptar. Kuvendi ka kompetencën dhe Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar një rend, duke caktuar Kuvendin e Shqipërisë të vendosë pagën e gjyqtarit”, deklaroi Gogu.


