Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për ndikimin e dezinformimit dhe të profileve të krijuara përmes teknologjisë në hapësirën digjitale shqiptare.
Në një fragment të publikuar nga bashkëbisedimi me moderatoren Rudina Xhunga në podcastin maratonë “Flasim Shqip”, Rama deklaroi se mijëra profile me emra dhe fytyra shqiptare përdoren për të përhapur narrativa të ndryshme dhe për të nxitur tension.
Sipas tij, ndërhyrje të ngjashme digjitale janë përdorur edhe në vende të tjera për të ndikuar në zgjedhje apo për të nxitur protesta dhe trazira.
“E kishim më të dëgjuar se si bëhen ndërhyrjet në zgjedhje dhe në vende të tjera, se si përdoren për të nxitur revolta apo për të provokuar djegiet e Parisit. Por tjetër është ta dëgjosh dhe tjetër ta shohësh se si mijëra e dhjetëra mijëra ‘ushtarë’, të prodhuar në laboratorët e teknologjisë, me fytyra dhe emra shqiptarë, sulmojnë hapësirën digjitale të vendit dhe krijojnë tension të madh”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se personat pas këtyre profileve nuk kanë qenë realisht të pranishëm në protesta.
“Ata nuk ishin në protestë dhe nuk ekzistojnë. Janë të krijuar në laborator dhe u japin zë narrativave të ndryshme”, deklaroi kryeministri.


