Debati për reformën e re territoriale ka vendosur Kavajën në një pozicion të veçantë, pasi bashkia drejtohet nga Partia Demokratike, e cila në nivel kombëtar mbështet rikthimin te një hartë me 100 bashki, por në nivel lokal bashkimi me Rrogozhinën nuk shihet domosdoshmërisht si një skenar negativ.
Sipas një raportimi të Faktoje.al, në Kavajë bashkimi me Rrogozhinën shihet si një mundësi për krijimin e një njësie më të madhe vendore, ku turizmi dhe ekonomia bregdetare e Kavajës mund të plotësohen me potencialin bujqësor të Rrogozhinës.
Kjo qasje u reflektua edhe gjatë një dëgjese publike të zhvilluar së fundmi në qytet për reformën territoriale. Pjesëmarrja ishte e ulët, me rreth 10 qytetarë në sallë, ndërsa takimi u shty për rreth një orë në pritje të pjesëmarrësve të tjerë. Zyrtarët vendorë thanë se në dëgjesat e zhvilluara më herët në Helmes dhe Luz i Vogël pjesëmarrja kishte qenë më e lartë.
Qytetarët që morën pjesë në takim e konsideruan bashkimin me Rrogozhinën jo vetëm të pranueshëm, por edhe një korrigjim të një ndarjeje territoriale që, sipas tyre, duhej të ishte bërë ndryshe që më herët.
Argumenti kryesor lidhet me profilin ekonomik të dy zonave. Kavaja ka një ekonomi të lidhur fort me detin, turizmin dhe aktivitetin bregdetar, ndërsa Rrogozhina karakterizohet më shumë nga bujqësia. Sipas mbështetësve të bashkimit, këto dy ekonomi do të mund të plotësonin njëra-tjetrën.
Në favor të një bashkimi përdoret edhe argumenti historik, pasi Rrogozhina ka qenë në të kaluarën pjesë e Kavajës. Për këtë arsye, disa prej banorëve nuk e shohin ndryshimin si krijimin e një territori të ri, por si rikthimin e një lidhjeje të mëparshme administrative.
“Nëse Rrogozhina bashkohet sot me Kavajën, ne po rregullojmë një ndarje që nuk u bë siç duhet atëherë”, tha një prej banorëve gjatë dëgjesës.
Një Kavajë e bashkuar me Rrogozhinën do të shtrihej deri në lumin Shkumbin, pranë kufirit me territorin e Lushnjës, duke përfshirë edhe zona të tjera me potencial turistik dhe natyror. Mes tyre përmenden Plazhi i Grethit, Plazhi i Spillesë, Guri i Lëmuar dhe territore pyjore.
Edhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, ka mbajtur më herët një qëndrim kritik ndaj reformës territoriale të vitit 2015. Ai e ka cilësuar atë si “një gabim”, duke argumentuar se disa fshatra që sot janë pjesë e Rrogozhinës, mes tyre Kryevidhi, Lekaj, Gërrmani dhe Gosa, kanë lidhje të forta historike dhe identitare me Kavajën.
“Po t’i thuash dikujt nga këto fshatra nga je, ai do të thotë jam nga Kavaja”, është shprehur Qosja.
Megjithatë, një zgjerim i territorit do të sillte edhe më shumë përgjegjësi për administratën vendore. Nënkryetari i Bashkisë Kavajë, Genc Gjylsheni, ka deklaruar për Faktoje.al se bashkia ka kapacitetet njerëzore dhe profesionale për të administruar një territor më të madh.
Sipas tij, specialistët dhe ekspertët aktualë të bashkisë kanë treguar se mund të menaxhojnë zhvillimin e qytetit, ndërsa një bashki e zgjeruar mund të përballohet edhe përmes angazhimit të ekspertëve, konsulentëve dhe grupeve të interesit.
Por kërkesat e disa banorëve shkojnë edhe më tej. Gjatë dëgjesës u kërkua që një hartë e re territoriale të përfshijë në Bashkinë Kavajë edhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
“Ne duam një Kavajë që të ketë mundësi të administrojë dhe të zhvillojë edhe zonat që lidhen natyrshëm me të. Shkëmbi i Kavajës është një prej tyre”, tha një prej qytetarëve.
Përfshirja e kësaj zone shihet si e rëndësishme për shkak të potencialit turistik dhe bregdetar, ndërsa bashkimi me Rrogozhinën do t’i shtonte bashkisë edhe një territor me potencial të konsiderueshëm bujqësor.
Kështu, në Kavajë debati për reformën territoriale duket se po zhvillohet jo vetëm rreth numrit të bashkive që duhet të ketë Shqipëria, por edhe rreth mënyrës se si kufijtë e rinj mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të zonës.
Nëse reforma do të rikthente modelin me rreth 100 bashki, Kavaja do të ruante strukturën aktuale. Por në rast se vendi shkon drejt një harte me 46 njësi vendore, bashkimi me Rrogozhinën po shihet në nivel lokal jo si humbje e identitetit të Kavajës, por si një mundësi për zgjerimin e territorit dhe forcimin e potencialit ekonomik, bujqësor dhe turistik.


