Gushti barazon rekordin si muaji më i nxehtë

10 Sep 2026 12:08
Shpërndaje:

Gushti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë, së bashku me korrikun e vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare të Bashkimit Evropian.

Shërbimi evropian Copernicus bëri të ditur se temperatura mesatare globale gjatë muajit të kaluar arriti përkohësisht 1.65 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale.

Sipas Copernicus, temperaturat rekord u shkaktuan nga ngrohja globale si pasojë e përdorimit të lëndëve djegëse fosile, e kombinuar me rritjen e temperaturave të sipërfaqes së Oqeanit Paqësor, të lidhur me fenomenin e fuqishëm klimatik “El Niño”.

Reklamë Ola

“Këto të dhëna tregojnë se si ndryshimet klimatike po nxisin fenomene ekstreme si në atmosferë, ashtu edhe në oqeane”, deklaroi Samantha Burgess nga Qendra Evropiane për Parashikimet Afatmesme të Motit.

Gushti përmbylli një verë rekord në Evropë, të karakterizuar nga valë të nxehti, zjarre dhe thatësira. Ndërkohë, emetimet globale të gazeve serrë nga aktiviteti njerëzor vazhdojnë të rriten.

Reklamë InterMedika

Sipas Komisionit Evropian, gjatë vitit të kaluar emetimet u rritën me 0.7 për qind, duke arritur nivelin rekord prej 54 miliardë tonësh ekuivalent të dioksidit të karbonit. Ekspertët paralajmërojnë se vijimi me këtë ritëm mund ta çojë ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të dekadës.

Shtetet e Bashkuara shënuan rritjen më të lartë të ndotjes klimatike gjatë vitit 2025, me 2.2 për qind. Në Kinë emetimet u rritën me 0.1 për qind, ndërsa në Indi dhe Bashkimin Evropian ranë me nga 0.2 për qind.

Temperatura mesatare globale e ajrit në gusht arriti në 16.96 gradë Celsius, ose 0.85 gradë mbi mesataren e periudhës 1990–2020. Edhe temperatura mesatare e sipërfaqes së deteve barazoi rekordin historik, duke arritur në 21.07 gradë Celsius.

Në Evropë, gushti ishte i katërti më i nxehtë i regjistruar, me temperatura 1.1 gradë mbi mesataren 30-vjeçare. Vera e vitit 2026 ishte e treta më e nxehtë në kontinent dhe më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Evropën Perëndimore.