Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, pritet të mbërrijë sot në Gjermani për një vizitë shtetërore dyditore, me synim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë vizitës pritet të nënshkruhen marrëveshje me vlerë disa miliardë euro, megjithëse hollësitë e tyre nuk janë bërë ende publike.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, do ta presë homologun e tij me ceremoni zyrtare dhe nderime ushtarake në Villa Borsig, në Berlin. Pas ceremonisë, dy presidentët do të zhvillojnë bisedime.
Mohamed bin Zayed do të takohet gjatë pasdites edhe me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Takimi i fundit mes tyre u zhvillua në muajin shkurt, gjatë vizitës së Merz në Abu Dhabi.
Në mbrëmje, Steinmeier do të shtrojë një darkë shtetërore në rezidencën e tij pranë lumit Shpre.
Gjermania dhe Emiratet synojnë të zgjerojnë ndjeshëm bashkëpunimin në ekonomi, mbrojtje, industrinë e armëve, politikën e jashtme, energji dhe mbrojtjen e mjedisit. Në fokus do të jetë edhe bashkëpunimi kundër krimit të organizuar dhe sulmeve kibernetike.
Në sektorin e teknologjisë, dy vendet po përgatisin një memorandum mirëkuptimi, i cili parashikon edhe zgjerimin e qendrave të të dhënave për ruajtjen dhe përpunimin e informacionit digjital.
Sipas zyrtarëve të Emirateve, Gjermania do të kontribuojë në partneritet me fuqinë e saj industriale, ekspertizën shkencore dhe teknologjike, si dhe kompanitë konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Emiratet ofrojnë kapital financiar, mundësi për investime afatgjata, lidhje ndërkombëtare dhe akses në disa prej tregjeve me rritjen më të shpejtë në botë.


