Laburistët dhe të Gjelbrit përplasen për ish-zonën e Starmer

10 Sep 2026 11:39
Shpërndaje:

Ish-zona elektorale e Keir Starmer në Parlamentin britanik është kthyer në arenën e një beteje të fortë mes Partisë Laburiste dhe të Gjelbërve, përpara zgjedhjeve të pjesshme të 8 tetorit.

Kreu i Partisë së Gjelbër, Zack Polanski, pritet të zgjidhet kandidat për zonën Holborn and St. Pancras. Aktivistët e partisë kanë nisur një fushatë intensive, ndërsa Polanski pretendon se vetëm brenda dy orëve janë shpërndarë rreth 80 mijë fletëpalosje.

Nga ana tjetër, laburistët kanë mobilizuar figura të rëndësishme për të mbrojtur një zonë që e kontrollojnë që nga krijimi i saj në vitin 1983. Sekretari i Jashtëm, Ed Miliband, ka vizituar tashmë zonën dhe u ka kërkuar aktivistëve të rikthejnë votuesit progresistë.

Reklamë Ola

Kandidatja e laburistëve është drejtuesja e Këshillit të Camdenit, Sagal Abdi-Wali, e cila mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar si refugjate nga Somalia. Ajo do të përpiqet të ruajë avantazhin prej 11 572 votash që Starmer siguroi në zgjedhjet e fundit.

Kjo përballje konsiderohet prova e parë e rëndësishme elektorale për Andy Burnham që kur mori postin e kryeministrit gjatë verës. Një fitore do t’u jepte laburistëve mundësinë të argumentonin se partia është shkëputur nga rënia e popullaritetit të Starmer dhe se votuesit mbështesin drejtimin e ri të qeverisë.

Reklamë InterMedika

Humbja e një bastioni historik, megjithatë, do të përbënte një goditje të fortë për Burnham dhe Partinë Laburiste, duke treguar se dëmi politik i krijuar gjatë drejtimit të Starmer vazhdon të ndikojë te elektorati.

Për të Gjelbrit, një fitore do të sillte liderin e tyre në Dhomën e Komunëve dhe do të rigjallëronte partinë pas disa rezultateve zhgënjyese. Ajo do të shtonte gjithashtu presionin mbi qeverinë nga e majta për çështje si taksa mbi pasurinë, kontrolli i qirave dhe kalimi i kompanive të ujësjellësit në pronësi publike.

Në zgjedhjet e vitit 2024, kërcënimi kryesor për Starmer erdhi nga kandidati i pavarur Andrew Feinstein, i cili mori 18.9 për qind të votave me një platformë pro Gazës dhe kundër masave shtrënguese ekonomike. Feinstein nuk do të kandidojë këtë herë dhe të Gjelbrit shpresojnë të tërheqin një pjesë të mbështetësve të tij.

Rreth 20 për qind e banorëve të zonës i përkasin komunitetit mysliman, ndaj qëndrimet për luftën në Gaza dhe politikat ndaj Izraelit pritet të ndikojnë ndjeshëm në rezultat.

Përveç çështjeve kombëtare, kandidatët do të përballen edhe me problemet lokale, mes tyre kriza e strehimit, varfëria dhe vonesat shumëvjeçare të projektit hekurudhor HS2.