IAEA referon Iranin në Këshillin e Sigurimit

10 Sep 2026 11:45
Shpërndaje:

Programi bërthamor i Iranit është rikthyer në qendër të tensioneve ndërkombëtare, pasi Bordi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike vendosi ta referojë Teheranin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ky është rasti i parë në rreth 20 vjet që mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së ndërmerr një masë të tillë ndaj Iranit.

Rezoluta, e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania, mori 23 vota pro nga 35 vendet anëtare të bordit të IAEA-s. Rusia, Kina dhe Nigeri votuan kundër, tetë vende abstenuan, ndërsa një tjetër nuk mori pjesë në votim.

Reklamë Ola

Në qendër të përplasjes qëndron hetimi shumëvjeçar për gjurmët e uraniumit të zbuluara në disa zona të padeklaruara nga Irani si objekte bërthamore. Vendet perëndimore kërkojnë shpjegime bindëse për origjinën e materialit dhe dyshojnë se këto zona mund të jenë përdorur për aktivitete të fshehta në të kaluarën.

Teherani i mohon akuzat dhe këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore. Autoritetet iraniane argumentojnë gjithashtu se luftimet me SHBA-në dhe Izraelin e kanë penguar aksesin normal të inspektorëve të IAEA-s në disa zona.

Reklamë InterMedika

Shqetësim mbetet edhe sasia e uraniumit të pasuruar të grumbulluar nga Irani. Sipas ekspertëve, materiali i pasuruar në nivele të larta mund të përdoret brenda një kohe relativisht të shkurtër për prodhimin e një arme bërthamore, nëse udhëheqja iraniane do të merrte një vendim të tillë.

Irani e kundërshton këtë vlerësim dhe akuzon vendet perëndimore se po e përdorin agjencinë ndërkombëtare si instrument presioni politik.

Referimi në Këshillin e Sigurimit nuk sjell automatikisht sanksione të reja. Masat e mundshme do të varen nga vendimet e këtij institucioni, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos.

Megjithatë, lëvizja ka peshë të konsiderueshme politike dhe diplomatike, pasi e rikthen dosjen bërthamore iraniane në nivelin më të lartë të OKB-së, në një periudhë tensionesh të forta ushtarake ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.