Inteligjenca artificiale në prokurimet publike, Ibrahimaj prezanton reformën

17 Nov 2026 • 15:06
Shpërndaje:

Inteligjenca artificiale do të përfshihet në të gjitha fazat e prokurimeve publike në Shqipëri, nga hartimi i specifikimeve teknike dhe përllogaritja e fondit limit, deri te kontrolli i ofertave, monitorimi i kontratave dhe pagesat përfundimtare.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë aktivitetit “Prokurojmë për Shqipërinë Europiane”, ku prezantoi drejtimet kryesore të reformës së prokurimit publik.

Sipas ministres, synimi është kalimi nga një sistem i fragmentuar në një model të integruar, ku Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) do të administrojë të gjithë ciklin e prokurimit, nga identifikimi i nevojave të institucioneve deri te vlerësimi i rezultateve.

Reklamë Ola

Më pak burokraci dhe më shumë transparencë

Ibrahimaj shpjegoi se përdorimi i inteligjencës artificiale do të mundësojë analizimin e tregut, standardizimin e specifikimeve teknike dhe plotësimin automatik të dokumentacionit të bizneseve përmes regjistrave shtetërorë.

Reklamë InterMedika

Teknologjia do të përdoret gjithashtu për kontrollin e ofertave dhe ndjekjen e zbatimit të kontratave, me synimin për të reduktuar gabimet, kostot administrative dhe vonesat.

Ministrja theksoi se vendimmarrja do të mbetet në duart e njerëzve, ndërsa inteligjenca artificiale do të shërbejë si instrument mbështetës për procese më transparente dhe të gjurmueshme.

109 miliardë lekë prokurime gjatë vitit 2025

Duke iu referuar të dhënave të vitit 2025, Ibrahimaj bëri të ditur se tregu i prokurimeve publike arriti në 109 miliardë lekë, ose 7,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përmes 5 766 procedurave.

Sipas saj, diferenca ndërmjet fondit limit dhe fondit të prokuruar ishte 17 miliardë lekë, ekuivalente me 13% të fondit limit.

Reforma parashikon planifikimin më të hershëm të nevojave të institucioneve dhe krijimin e një regjistri të konsoliduar prokurimesh, që do t’u mundësojë bizneseve të përgatiten më mirë për kërkesat e sektorit publik.

Për vitin 2027, OBP parashikon realizimin e 179 investimeve me vlerë rreth 63 miliardë lekë.

Transformimi po zhvillohet në bashkëpunim me UNOPS-in, me synimin për të përshtatur praktikat europiane në administrimin e prokurimeve.

“Një investim i vonuar nuk është vetëm një fond i pashpenzuar. Janë para që i mungojnë ekonomisë, janë likuiditete që i mungojnë bizneseve, janë vende pune që nuk krijohen në kohë dhe, mbi të gjitha, janë shërbime që nuk u jepen në kohë qytetarëve”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se reforma synon jo vetëm uljen e kostove të prokurimeve, por edhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, respektimin e afateve dhe rritjen e ndikimit të shpenzimeve publike në ekonomi.