Rama ironizon Farage: Kush sulmon shqiptarët, e ndjek “mallkimi shqiptar”

17 Nov 2026 • 22:41
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar liderin e Reform UK, Nigel Farage, për deklaratat e tij ndaj emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, duke paralajmëruar me humor se politikanët që sulmojnë shqiptarët rrezikojnë të përballen me atë që ai e quan “mallkimi shqiptar”.

Në një intervistë për gazetën britanike The Independent, Rama rikujtoi deklaratën e Farage se një në 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg, si dhe ftesën që i kishte bërë për të vizituar Shqipërinë.

“Ai është shumë i mirë në bërjen e premtimeve, por nuk duket aq i mirë në mbajtjen e tyre”, u shpreh Rama, duke iu referuar vizitës së parealizuar.

Reklamë Ola

Kryeministri përmendi edhe ish-ministren britanike Suella Braverman, duke pretenduar se politikanët që kanë përdorur retorikë kundër shqiptarëve kanë pësuar rënie politike.

“Mallkimi shqiptar është diçka nga e cila duhet të kesh kujdes, sepse kushdo që sulmon shqiptarët nuk përfundon mirë politikisht”, deklaroi ai.

Reklamë InterMedika

Rama e cilësoi të turpshëm përdorimin e komuniteteve dhe etnive për përfitime politike, duke shtuar se një retorikë e tillë mund të ketë edhe karakter racist.

Projekti i Sazanit dhe akuzat për korrupsion

Gjatë intervistës, kryeministri komentoi edhe projektin e investimit në ishullin e Sazanit, ku janë të përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump.

Rama hodhi poshtë pretendimet për konflikt interesi, duke argumentuar se kontaktet me investitorët amerikanë kishin nisur përpara rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ai sqaroi se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare, ndërsa negociatat vazhdojnë dhe projekti duhet t’u nënshtrohet vlerësimeve mjedisore.

Rama: Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030

Duke folur për zhvillimin ekonomik, Rama deklaroi se numri vjetor i hyrjeve të turistëve në Shqipëri ka kaluar nga më pak se dy milionë në mbi 12 milionë, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto, sipas tij, është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Kryeministri përsëriti synimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke theksuar se orientimi europian i vendit mbetet i pandryshueshëm.

Në intervistë, Rama komentoi gjithashtu Brexit-in, ndikimin e rrjeteve sociale në demokraci dhe figurat politike britanike që e kanë frymëzuar, duke veçuar ish-kryeministrin Tony Blair.