Inter hap akademinë e futbollit në Shqipëri

17 Nov 2026 • 23:16
Shpërndaje:

Shqipëria do të ketë akademinë zyrtare të futbollit të klubit italian Inter, përmes projektit “Inter Academy Albania”, një nismë që synon zhvillimin sportiv dhe edukativ të fëmijëve, si dhe zbulimin e talenteve të reja.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, dhe drejtuesi i Inter Club Albania, Juxhin Rama, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për realizimin e projektit.

Sipas ministrit Gonxhja, ministria do të ofrojë mbështetje institucionale, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit do të vendosë në dispozicion infrastrukturën sportive për nisjen dhe zhvillimin e akademisë në Tiranë.

Reklamë Ola

“Inter Academy Albania” synon të sjellë në Shqipëri metodologjinë dhe standardet e formimit sportiv të klubit italian, përmes përfshirjes së stafit teknik të Interit dhe trajnimit të trajnerëve shqiptarë.

Projekti pritet të krijojë mundësi për qindra fëmijë dhe të rinj, duke ndërthurur stërvitjen sportive me edukimin dhe rezultatet në shkollë.

Reklamë InterMedika

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përfshirjes së vajzave në futboll, identifikimit të talenteve dhe mbështetjes së tyre përmes programeve të bursave, duke marrë në konsideratë edhe disiplinën dhe përkushtimin në mësime.

Gonxhja theksoi se iniciativa ka lindur nga angazhimi i komunitetit të Inter Club Albania, i cili ndër vite ka ndërtuar marrëdhënie bashkëpunimi me klubin italian.

Modeli “Inter Academy” është zbatuar edhe në vende të tjera, përfshirë Gjeorgjinë, ku sipas ministrit, programi ka kontribuar në formimin e katër futbollistëve të ekipit kombëtar.