Ministrja Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë prioritetet e buxhetit për vitin 2027, duke u ndalur te pensionet, mbrojtja e konsumatorit dhe programet e strehimit për familjet dhe çiftet e reja.
Gjatë raportimit, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë afatgjatë të skemës së pensioneve, duke nënvizuar se rritja e pagave ndikon drejtpërdrejt në sistemin e sigurimeve shoqërore.
“Përmirësimi i sistemit të sigurimeve shoqërore është një objektiv afatgjatë. Fondi prej 4 miliardë lekësh synon indeksimin e pensioneve dhe do ta shtyjmë indeksimin nga prilli në tetor”, deklaroi ministrja.
Ajo bëri të ditur se në projektbuxhetin e vitit 2027 është parashikuar dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, për të cilin është planifikuar një fond prej 20 miliardë lekësh.
Një tjetër prioritet i përmendur nga Ibrahimaj ishte mbrojtja e konsumatorit dhe monitorimi i çmimeve, si pjesë e politikave që synojnë mbështetjen e qytetarëve.
Duke u ndalur te programet e strehimit, ministrja theksoi se skema e re parashikon mbështetje për familjet dhe çiftet e reja, me synim lehtësimin e aksesit të tyre në strehim.
Deklaratat u bënë gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit 2027.

