Shqipëria po avancon drejt modernizimit të sistemit të pagesave, me synimin për të mundësuar transferta financiare brenda pak sekondash dhe për të forcuar integrimin me tregun evropian. Reformat në këtë sektor pritet të ulin kostot e transaksioneve dhe të lehtësojnë përdorimin e shërbimeve financiare digjitale nga qytetarët dhe bizneset.
Zhvillimet në sistemin e pagesave dhe sfidat e transformimit digjital ishin në qendër të Konferencës së 8-të Ndërkombëtare për Skemat Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturat e Tregut Financiar me Pakicë, të zhvilluar në Tiranë.
Gjatë ditës së dytë të konferencës, anëtari i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Piero Cipollone, prezantoi prioritetet e institucionit për të ardhmen e parasë dhe të sistemeve të pagesave.
Sipas tij, Banka Qendrore Evropiane po përqendrohet në katër drejtime kryesore: modernizimin e kartëmonedhave euro, zhvillimin e euros digjitale, mbështetjen e financës së tokenizuar përmes projekteve Pontes dhe Appia, si dhe ndërlidhjen e sistemeve të pagesave të menjëhershme.
Këto iniciativa synojnë krijimin e një sistemi monetar më të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm, në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe nevojat e ekonomisë evropiane.
Drejtorja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, theksoi se modernizimi i infrastrukturës financiare duhet të shoqërohet me përdorimin e gjerë të saj nga qytetarët dhe bizneset.
“Pagesat më të lira dhe më të shpejta mund t’i ndihmojnë bizneset të investojnë, të zgjerohen dhe të nxisin krijimin e bizneseve të reja”, deklaroi Yu.
Sipas Bankës Botërore, reformat e ndërmarra në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor po japin rezultate konkrete, veçanërisht në drejtim të uljes së kostove të transfertave ndërbankare dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Pas integrimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), kostot e transfertave ndërmjet bizneseve në ekonomitë pjesëmarrëse të rajonit janë ulur me rreth 90%.
Shqipëria përgatitet për sistemin e pagesave të shpejta
Një nga zhvillimet kryesore është përgatitja e Shqipërisë për vënien në funksionim të sistemit të pagesave të menjëhershme, i cili do të mundësojë realizimin e transfertave brenda pak sekondash, në çdo orë dhe ditë të vitit.
Në të njëjtën fazë përgatitore ndodhet edhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi i kanë vënë tashmë në funksionim sistemet përkatëse. Kosova po përgatitet për zbatimin e tyre, ndërsa Serbia disponon një sistem pagesash të shpejta që prej vitit 2018.
Përveç transfertave të menjëhershme, kjo infrastrukturë mund të mbështesë zhvillimin e shërbimeve të reja, përfshirë pagesat me kode QR në pikat tregtare dhe transferimin e parave përmes numrit të telefonit celular.
Një tjetër përfitim i rëndësishëm lidhet me uljen e kostove të remitancave, të cilat përbëjnë një burim të konsiderueshëm të ardhurash për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, familjet në rajon përfituan rreth 13.7 miliardë dollarë remitanca gjatë vitit 2023, shumë që përfaqësonte 8.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit.
Megjithatë, kostoja e dërgimit të 200 dollarëve vijon të jetë rreth 8% e shumës së transferuar. Ulja e këtij niveli në objektivin ndërkombëtar prej 3% mund t’u kursejë familjeve të emigrantëve deri në 500 milionë dollarë në vit.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore theksuan se përparësia e radhës është shndërrimi i investimeve në infrastrukturën e pagesave në përfitime konkrete për ekonominë, duke nxitur përdorimin e shërbimeve digjitale dhe zgjerimin e përfshirjes financiare.
Paralelisht, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të sigurisë kibernetike, parandalimit të mashtrimeve financiare dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Banka Botërore konfirmoi vijimin e mbështetjes për qeveritë dhe bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor përmes asistencës teknike, financimit dhe shkëmbimit të ekspertizës.
Konferenca në Tiranë u organizua nga Shoqata Evropiane e Pagesave me Kartë, Grupi i Bankës Botërore dhe Banka e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve financiare, bankave qendrore dhe industrisë së pagesave nga rajoni dhe Evropa.


