Federata Shqiptare e Futbollit do të mbështesë fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës përmes ndërtimit të dy fushave moderne të futbollit, një në Komunën e Preshevës dhe një tjetër në Komunën e Bujanocit.
Projekti vjen në vijim të bashkëpunimit që FSHF ka zhvilluar prej vitesh me komunitetin e futbollit në Luginë, përmes sigurimit të materialeve sportive, uniformave dhe organizimit të aktiviteteve të ndryshme për fëmijët. Vitin e kaluar u zhvillua edhe një turne me futbollistë të vegjël nga Lugina e Preshevës dhe diaspora e saj.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se iniciativa nuk kufizohet vetëm në përmirësimin e infrastrukturës sportive, por synon t’u krijojë fëmijëve shqiptarë më shumë mundësi për t’u marrë me futboll dhe për të zhvilluar talentin e tyre.
“Federata e Futbollit ka marrë një iniciativë për të ndërtuar dy fusha në Luginën e Preshevës, një në Bujanoc dhe një në Komunën e Preshevës. Kjo iniciativë nuk lindi sot, pasi bashkëpunimi dhe mbështetja jonë për fëmijët në Luginën e Preshevës kanë filluar prej vitesh”, deklaroi Duka.
Sipas tij, gjatë diskutimeve me komunitetin e futbollit dhe përfaqësuesit e komunave të Preshevës dhe Bujanocit u evidentua gjendja e dobët e infrastrukturës sportive. Fillimisht Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së kishte vendosur të mbështeste ndërtimin e një fushe, por më pas projekti u zgjerua në dy të tilla.
Duka bëri të ditur se për realizimin e projektit FSHF i është drejtuar edhe biznesit privat, për shkak të kostos së lartë financiare. Disa kompani i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes, ndërsa familja Türker është bërë donatori i parë i projektit.
Presidenti i FSHF-së falënderoi gjithashtu komunat për bashkëpunimin dhe komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës për mbështetjen, duke e cilësuar nismën si një përgjegjësi morale ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.
“Kjo nuk është vërtet një detyrë institucionale e Federatës, sepse ne duhet të organizojmë dhe të mbështesim futbollin brenda kufijve shtetërorë shqiptarë. Por është një detyrë morale e jona për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve tanë. Në fund të fundit, e kemi një obligim moral që t’i ndihmojmë ata për të qenë sa më shumë afër futbollit”, tha Duka.
Në kuadër të projektit, FSHF do të financojë ndërtimin e bazamentit të dy fushave, vendosjen e tapetit sintetik sipas standardeve të FIFA-s dhe pajisjen e tyre me porta.
Komunat e Preshevës dhe Bujanocit, nga ana tjetër, do të marrin përsipër ndërtimin e ambienteve të zhveshjeve dhe hapësirave të tjera mbështetëse, duke plotësuar infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e fushave.


