Gjermania ka përsëritur qëndrimin kundër përdorimit të çështjeve dypalëshe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të penguar procesin e zgjerimit.
Ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum, deklaroi se kundërshton “bilateralizimin” e procesit të integrimit, duke argumentuar se kërkesat individuale të vendeve anëtare ndaj fqinjëve kandidatë mund të cenojnë unitetin evropian. Ky qëndrim është shprehur së fundmi edhe në debatin në Bruksel për përpjekjen e Spanjës për ta lidhur zgjerimin me njohjen e gjuhëve të saj bashkëzyrtare në nivel të BE-së.
“Jam kundër një bilateralizimi të integrimit në BE”, u shpreh Krichbaum, duke theksuar se mosmarrëveshje të tilla nuk duhet të bllokojnë apo ndalojnë rrugën e vendeve që synojnë anëtarësimin.
Sipas përfaqësuesit gjerman, procesi i pranimit duhet të vazhdojë mbi bazën e kritereve evropiane dhe me një frymë më të fortë bashkëpunimi mes vendeve anëtare. Gjermania ka mbështetur gjithashtu përshpejtimin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Çështja ka rëndësi të veçantë për Maqedoninë e Veriut. Shkupi u përball për vite me bllokadën e Geqisë për çështjen e emrit, e cila u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimin e emrit të vendit. Më pas, procesi evropian është përballur me kushte dhe kundërshtime të lidhura me Bullgarinë.
Qëndrimi i Berlinit është se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të shndërrohen në instrument për të penguar procesin e zgjerimit, ndërsa vendet kandidate duhet të ecin përpara në bazë të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit.


