Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po çon përpara ndryshimet në përfaqësitë diplomatike shqiptare në rajon, me një rokadë mes ambasadorëve në Shkup dhe Prishtinë.
Më 9 tetor, Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme pritet të zhvillojë dy seanca dëgjimore për kandidatët. Denion Meidani, aktualisht ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, është propozuar për të drejtuar përfaqësinë diplomatike në Kosovë. Petrit Malaj, ambasador në Prishtinë, pritet të paraqesë platformën e tij si kandidat për ambasador në Shkup.
Lëvizja rikthen në vëmendje debatet e muajit maj, kur në media u raportua për një largim të mundshëm të Meidanit nga Shkupi pas mbështetjes së tij publike për studentët shqiptarë që kërkonin zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Në atë kohë u raportua gjithashtu për ankesa të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it ndaj diplomatit shqiptar.
Ministria e Jashtme i hodhi poshtë atëherë pretendimet se lëvizja lidhej me këto ankesa, duke i cilësuar ato “tërësisht të pabazuara”. Ministria deklaroi se emërimet dhe lëvizjet diplomatike bazohen në analiza profesionale e institucionale dhe në prioritetet e politikës së jashtme.
Ende nuk është bërë publik relacioni që shoqëron propozimet e reja dhe arsyetimi zyrtar për shkëmbimin e posteve mes Meidanit dhe Malajt.
Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te Shkupi dhe Prishtina. Ambasadori aktual në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, u paraqit më 22 shtator në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme si kandidat për të drejtuar Misionin e Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare në Vjenë.
Nëse Ferizi përfundon procedurat për detyrën e re, ai do të zëvendësojë Eglantina Gjermenin në Vjenë, ndërsa ende nuk është bërë publik emri që do ta pasojë në Londër.


