Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur arrestimin e pesë burrave pranë bazës ajrore RAF Fairford në Britani, të dyshuar për përgatitjen e një akti terrorist. Ai tha se operacioni ishte rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve amerikane dhe britanike.
“Po kërkonin të shkaktonin dëm të madh”, deklaroi Trump para gazetarëve në Illinois, duke e cilësuar operacionin “fantastik”. Sipas tij, të dyshuarit kishin qenë nën hetim dhe vëzhgim prej kohësh.
Ngjarja nisi rreth orës 00:45 të së dielës, kur policia mori një telefonatë për tre automjete të dyshimta që po lëviznin drejt RAF Fairford në Gloucestershire, bazë britanike e përdorur edhe nga Forcat Ajrore të SHBA-së.
Policia e armatosur ndërhyri dhe arrestoi pesë burra në zonën e Whelford. Fillimisht ata u ndaluan nën dyshimin për shkelje të ligjit për eksplozivët dhe më pas edhe nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist. Të pestë mbeten në paraburgim ndërsa hetimet vazhdojnë.
Rreth tre automjeteve është vendosur një perimetër sigurie prej 400 metrash, ndërsa ekspertët e ushtrisë për asgjësimin e mjeteve shpërthyese po kryejnë kontrollet. Rreth 85 familje janë evakuuar si masë paraprake.
Autoritetet britanike e kanë shpallur ngjarjen një incident madhor, por kanë bërë të ditur se situata është nën kontroll. Hetimi tashmë drejtohet nga strukturat britanike kundër terrorizmit.
Deri tani policia nuk ka bërë publike identitetin apo kombësinë e të arrestuarve dhe nuk ka konfirmuar motivin e dyshuar të ngjarjes.


