Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti këtë të martë në një takim Paolo Zampollin, të dërguarin special të Presidentit amerikan Donald Trump për Partneritetet Globale.
Zampolli ndodhet në Tiranë në kuadër të një vizite gjatë së cilës ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, politikës dhe aktorë të tjerë në Shqipëri.
Në takimin me Dukën, diskutimet u përqendruan te roli i sportit dhe veçanërisht i futbollit në diplomacinë sportive, forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe promovimin e imazhit të vendeve në arenën globale.
Presidenti i FSHF-së e njohu Zampollin me zhvillimet e futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit, investimet në infrastrukturën sportive, rritjen e standardeve të organizimit dhe përfaqësimin e Shqipërisë në kompeticionet dhe strukturat ndërkombëtare të futbollit.
Pjesë e diskutimit ishte edhe përfaqësimi shqiptar në institucionet drejtuese të futbollit europian dhe botëror. Duka mban postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s dhe është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ndërsa në FIFA është anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare.
Sipas FSHF-së, Zampolli vlerësoi kontributin e Dukës në zhvillimin e futbollit shqiptar dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e sportit si një urë lidhëse mes vendeve dhe komuniteteve.
Pas takimit, i dërguari special i Presidentit Trump vizitoi edhe Shtëpinë e Futbollit, kompleksin sportiv të FSHF-së. Gjatë turit ai u njoh me ambientet dhe infrastrukturën e kompleksit, duke vlerësuar investimin dhe standardet e realizuara.
Shtëpia e Futbollit shërben si qendër e aktiviteteve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe si hapësirë për zhvillimin, edukimin dhe promovimin e futbollit në vend.
Takimi mes Dukës dhe Zampollit u fokusua në potencialin e sportit si instrument i diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe në rolin që futbolli shqiptar mund të luajë në promovimin e Shqipërisë jashtë vendit.


