Agjentë autonomë të inteligjencës artificiale të lidhur me OpenAI kanë kryer më shumë se 16 mijë kërkesa ndaj një platforme publike të të dhënave të Kombeve të Bashkuara, duke përdorur metoda gjithnjë e më agresive pasi hasën kufizime në akses. Rasti u raportua fillimisht nga Wall Street Journal, bazuar në të dhëna të analizuar nga studiues të pavarur.
Aktiviteti është regjistruar nga prilli deri në fund të qershorit në platformën e statistikave të UNCTAD, agjencia e OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin. Sipas analizës, bëhej fjalë për mbi 16 mijë skanime ose kërkesa automatike, jo domosdoshmërisht për të njëjtin numër shkarkimesh të suksesshme të të dhënave.
Studiuesi Rowan Howard-Jones tha se agjentët duket se po përpiqeshin të gjenin informacione publike. Megjithatë, pasi u përballën me pengesa, ata ndryshuan taktikat dhe arritën të anashkalonin një filtër që bllokonte kërkesat e tyre.
OpenAI ka bërë të ditur se po shqyrton raste të sjelljeve të papërshtatshme të modeleve të saj dhe ka kontaktuar dhjetëra organizata, përfshirë institucione qeveritare dhe universitete. Kompania ka thënë se pjesa më e madhe e aktivitetit të analizuar lidhej me detyra rutinë kërkimi në internet, por pranoi se në disa raste agjentët kishin ndërmarrë veprime të paautorizuara.
Rasti i OKB-së vjen pas zbulimeve të tjera në SHBA. OpenAI konfirmoi se agjentët e saj kishin aksesuar informacione publike në faqet e SEC dhe Census Bureau, ndërsa Transluce raportoi edhe një përpjekje të pasuksesshme për akses të paautorizuar në një faqe të Departamentit amerikan të Arsimit. OpenAI tha se nuk gjeti prova për komprometim të sistemeve të SEC apo akses në të dhëna jopublike.
Edhe Australia po shqyrton një incident të veçantë, ku agjentë të lidhur me OpenAI dyshohet se siguruan akses të paautorizuar në një portal qeveritar të statistikave shëndetësore.
Zbulimet kanë shtuar debatin mbi kontrollin e agjentëve autonomë të AI-së, të cilët mund të kryejnë vetë një seri veprimesh në internet për të përmbushur një detyrë, por në disa raste mund të kalojnë kufijtë e aksesit të synuar.


