Zelensky synon ta çojë luftën më thellë në Rusi për të detyruar Putinin drejt negociatave

10 Sep 2026 10:42
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po ndërmerr një strategji gjithnjë e më agresive për ta zhvendosur koston e luftës brenda territorit rus, me synimin që presioni ekonomik dhe politik mbi Moskën ta detyrojë Vladimir Putinin të angazhohet seriozisht në negociatat për paqe.

Sipas një analize të POLITICO, për pjesën më të madhe të luftës Kremlini ka arritur t’i mbrojë qytetarët e zakonshëm rusë nga pasojat më të rënda të konfliktit. Kievi po përpiqet tani ta ndryshojë këtë realitet përmes sulmeve me dronë ndaj rafinerive të naftës, fabrikave, magazinave dhe objektivave të tjerë thellë brenda Rusisë.

Logjika e strategjisë ukrainase është rritja e kostos ekonomike dhe politike të luftës për Rusinë më shpejt sesa Moska mund të shtojë presionin ushtarak dhe civil ndaj Ukrainës përmes sulmeve të saj ajrore.

Reklamë Ola

Në gusht, Ukraina zhvilloi një nga valët më intensive të sulmeve brenda territorit rus që nga nisja e luftës më shumë se katër vjet më parë. Fushata nuk është kufizuar vetëm te objektivat tradicionale ushtarake, por është zgjeruar drejt rafinerive të naftës, fabrikave dhe magazinave të kompanive të mëdha ruse të tregtisë online, përfshirë Wildberries dhe Ozon.

Pasojat kanë filluar të ndihen edhe në jetën e përditshme. Qytetarët rusë kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e karburantit, problemet me fluturimet dhe ndërprerjet në tregtinë elektronike, ndërsa Ukraina ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas të dronëve sulmues.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, deri tani ka pak prova se këto probleme përbëjnë një kërcënim serioz për pushtetin e Putinit. Gjatë viteve të fundit ka pasur vazhdimisht parashikime nga zyrtarë ukrainas, drejtues të shërbimeve europiane të inteligjencës dhe kundërshtarë rusë në mërgim se presioni i luftës mund të shkaktonte një revoltë të brendshme ose përplasje mes elitave në Kremlin. Deri tani, këto skenarë nuk janë materializuar.

Megjithatë, fushata ukrainase duket se po e bën gjithnjë e më të vështirë që qytetarët rusë ta injorojnë luftën.

Analisti politik rus Ian Matveev, bashkëpunëtor i ish-opozitarit të ndjerë Alexei Navalny, argumenton se mbështetja për autoritetet vështirë se mund të mos ndikohet kur qytetarët shohin tym mbi qytetet e tyre ose mbërrijnë në pikat e karburantit dhe nuk gjejnë furnizime, ndërsa njëkohësisht dëgjojnë në televizion se Rusia është një fuqi e madhe e naftës.

Sipas tij, sulmet kanë nxjerrë gjithashtu në pah kufizimet e ushtrisë ruse për të mbrojtur plotësisht territorin e vendit.

Shenjat e presionit ishin shfaqur që në maj, kur Kremlini reduktoi festimet tradicionale të Ditës së Fitores. Në qershor, Ukraina goditi në mënyrë të përsëritur rafineri dhe infrastrukturë karburantesh, përfshirë objekte pranë Moskës.

Në korrik, dronët ukrainas arritën deri në rafinerinë e Omskut në Siberi, më e madhja në Rusi dhe rreth 2,700 kilometra larg territorit të kontrolluar nga Ukraina. Sipas raportimeve, për sulmin ishte përdorur një version i përmirësuar i dronëve ukrainas.

Deri në atë moment, sulmet kishin prekur shumë prej rafinerive kryesore ruse, terminaleve të naftës dhe depove të karburanteve.

Paralelisht, Ukraina nisi një operacion kundër të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë në Detin e Zi dhe Detin Azov. Sipas zyrtarëve ukrainas, më shumë se 200 anije janë vënë në shënjestër.

Pasojat janë ndier edhe në sektorin privat. Mediat ruse kanë raportuar për dëmet që sulmet ndaj magazinave të Wildberries dhe Ozon u kanë shkaktuar bizneseve të vogla. Shitës të veshjeve dhe pajisjeve elektronike kanë deklaruar se kanë humbur punën e disa viteve, ndërsa blogerë ushtarakë pro luftës kanë kritikuar hapur forcat ruse për paaftësinë për të parandaluar sulmet.

Por pyetja kryesore mbetet nëse një presion i tillë është i mjaftueshëm për ta detyruar Putinin të ndryshojë kurs.

John Lough, ish-zyrtar i NATO-s dhe aktualisht pjesë e New Eurasian Strategies Centre, vlerëson se sulmet janë të dëmshme për Putinin, veçanërisht për besueshmërinë e tij mes elitave.