Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë përcolli një mesazh mbështetjeje për perspektivën evropiane të vendit, ndërsa u ndal edhe te lufta e vitit 1999 dhe aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, von der Leyen theksoi se historia e Kosovës dhe vuajtjet e popullsisë gjatë luftës nuk mund të rishkruhen.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive”, deklaroi ajo.
Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian ka mbështetur Kosovën që nga periudha e pasluftës, përmes rindërtimit, zhvillimit ekonomik, reformave dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Ajo përsëriti gjithashtu mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës, duke deklaruar se e ardhmja e saj është në Bashkimin Evropian. Në konferencën me Kurtin, presidentja e Komisionit bëri thirrje që aspirata për anëtarësim të shndërrohet në përparim konkret përmes reformave dhe institucioneve funksionale.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së saj von der Leyen ia kushtoi edhe aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, i cili ka shkaktuar protesta dhe reagime të forta në Kosovë.
“Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar emocione të fuqishme dhe çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”, tha ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi se vendimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati i tij duhet të respektohet, ndërsa të dënuarit kanë të drejtën të ndjekin procedurat ligjore, përfshirë apelimin.
Në të njëjtën kohë, von der Leyen bëri dallimin mes përgjegjësisë individuale të personave të gjykuar dhe historisë së luftës së Kosovës.
“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësi individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, deklaroi ajo, duke bërë thirrje që të respektohet kujtimi i viktimave nga të gjitha komunitetet.
Deklaratat vijnë në një moment kur në Kosovë ka debat të fortë për Dhomat e Specializuara. Pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, PDK-ja ka propozuar ndryshime në ligjin për Specialen. Von der Leyen tha të enjten se i takon Kosovës të vendosë për ndryshimet ligjore, por nënvizoi se duhet të garantohet pavarësia e gjyqësorit.


