Rama: QSUT me autonomi financiare nga 2027, në plan strukturë private brenda spitalit

01 Oct 2026 • 15:52
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të hyjë nga viti 2027 në një fazë të re të autonomisë financiare, ndërsa qeveria po negocion edhe për një partneritet me një strukturë të njohur ndërkombëtare dhe ngritjen e një strukture private brenda kompleksit spitalor.

Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, inspektuan ambientet e reja të Kardiokirurgjisë në QSUT, ku u njohën me kapacitetet dhe organizimin e shërbimeve.

Në strukturën e re është krijuar edhe një dhomë e dedikuar për kryerjen e procedurave sterile, duke shmangur realizimin e tyre në ambientet e reanimacionit.

Reklamë Ola

Gjatë vizitës, Rama tha se investimet kryesore në QSUT janë realizuar dhe se synimi i qeverisë është që nevojat e mbetura të adresohen përmes buxhetit të vitit 2027.

“Nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet t’i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia”, u shpreh kryeministri.

Reklamë InterMedika

Autonomia financiare e spitaleve publike parashikohet edhe në ligjin për shërbimin spitalor, sipas të cilit institucionet që përmbushin kriteret mund të administrojnë burimet e tyre financiare dhe të ardhurat e ligjshme sipas kartës së autonomisë spitalore.

Rama u ndal edhe te parkimi i ri multifunksional me rreth 1,400 vende, i cili po ndërtohet në hyrje të QSUT-së. Projekti ishte prezantuar më herët nga qeveria si pjesë e investimeve për modernizimin e kompleksit spitalor.

Sipas kryeministrit, rreth 900 vende do të përdoren nga personeli, ndërsa 500 të tjera mund të shërbejnë si burim të ardhurash dytësore për spitalin.

“Me përfundimin e parkimit të madh me 1,400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit”, tha Rama.

Ai shtoi se territori i brendshëm i QSUT-së synohet të transformohet në një park, projekt që sipas tij mund të realizohet brenda dy viteve. Edhe projekti i mëparshëm i qeverisë parashikonte lirimin e hapësirave të parkimit brenda kompleksit dhe rikualifikimin e tyre në hapësira të gjelbra.

Një tjetër pikë e planit është partneriteti i QSUT-së me një strukturë të njohur ndërkombëtare. Rama tha se po shqyrtohen disa alternativa dhe se bashkëpunimi do të përfshijë jo vetëm shkëmbime mes mjekëve, por edhe elementë të menaxhimit të spitalit sipas standardeve ndërkombëtare.

“Mjekët e spitalit tonë do shkojnë atje, mjekët e spitalit atje do vijnë këtu. Pra jo thjesht vizita pune, por një strukturë që administrohet me standardet e ekselencës”, deklaroi ai.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se pjesë e planit është edhe ngritja e një strukture private brenda QSUT-së, ku mjekët do të mund të punojnë paralelisht dhe të sigurojnë të ardhura shtesë.

“Pjesë e këtij plani është edhe ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila do të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht dhe që të sjellë edhe një rritje të domethënëse të të ardhurave tuaja”, tha Rama, duke sqaruar se negociatat vijojnë.

Gjatë vizitës, ministrja Klodiana Spahiu dhe kryeministri vlerësuan gjithashtu kontributin e profesionistëve që kanë shërbyer ndër vite në Kardiokirurgji.

Certifikata mirënjohjeje iu dorëzuan profesorëve dhe mjekëve Edmond Kapedani, Aurora Knuti, Efrosina Kajo, Arben Baboçi, Ajli Alushani dhe Ali Refatllari.