Hoxha nga Procesi i Berlinit: Zgjerimi i BE-së është investim strategjik për sigurinë

01 Oct 2026 • 16:19
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë këtë të enjte në takimin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Malin e Zi, ku rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor. Takimi i 1 tetorit është pjesë e agjendës së presidencës malazeze të Procesit të Berlinit për vitin 2026.

Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se siguria e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës janë të ndërlidhura dhe se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet parë si një proces strategjik dhe i bazuar në meritë.

“Në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik, përgjigjja ndaj sfidave tona të përbashkëta qëndron te bashkëpunimi më i fortë, uniteti më i madh dhe një Evropë më e qëndrueshme dhe më e aftë për t’u përballur me sfidat. Dhe për ne, kjo ka një emër: zgjerimi”, tha ministri.

Reklamë Ola

Sipas Hoxhës, zgjerimi nuk duhet konsideruar si favor apo shpërblim për vendet kandidate, por si një proces që duhet të mbështetet në reforma konkrete dhe në përmbushjen e kritereve.

“Jo si një favor apo shpërblim, por si një proces i bazuar në merita dhe i mbështetur në reforma kuptimplota e me ndikim, duke qenë njëkohësisht një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës”, u shpreh ai.

Reklamë InterMedika

Ministri u ndal edhe te roli i Procesit të Berlinit në afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi nuk nis vetëm në momentin e anëtarësimit formal.

Sipas tij, bashkëpunimi praktik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, lëvizshmëria, njohja reciproke e diplomave, ndërlidhja infrastrukturore dhe Tregu i Përbashkët Rajonal janë hapa konkretë që e afrojnë rajonin me BE-në.

“Integrimi evropian fillon në shtëpi, shumë përpara anëtarësimit. Ai përparon përmes bashkëpunimit praktik, lëvizshmërisë dhe kontakteve mes njerëzve, njohjes së ndërsjellë të diplomave, ndërlidhjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal”, deklaroi Hoxha.

Procesi i Berlinit, i krijuar në vitin 2014, përfshin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një grup shtetesh anëtare të BE-së, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të mbështetur afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian. Mali i Zi mban presidencën e Procesit për vitin 2026, ndërsa Samiti i Liderëve është parashikuar të zhvillohet më 22 tetor në Sveti Stefan.