Kos: Shqipëria po përparon shumë mirë, BE hap rrugën për integrim para anëtarësimit

01 Oct 2026 • 16:03
Shpërndaje:

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se vendet kandidate që përmbushin kriteret në fusha të caktuara mund të përfitojnë nga integrimi gradual në Bashkimin Europian edhe përpara se të bëhen anëtare me të drejta të plota.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kos tha se kjo qasje po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe, ndërsa Bashkimi Europian kërkon të përshpejtojë afrimin e vendeve kandidate në një klimë të ndryshuar gjeopolitike.

Sipas saj, procesi i anëtarësimit mbetet i bazuar në meritë dhe kërkon përmbushjen e kritereve, por vendet kandidate nuk duhet domosdoshmërisht të presin anëtarësimin e plotë për të përfituar nga politika apo mekanizma të caktuar të BE-së.

Reklamë Ola

“Nëse duam të arrijmë qëllimin tonë, një Europë të sigurt dhe të qëndrueshme, atëherë do të përpiqemi të identifikojmë fushat në të cilat vendeve kandidate mund t’u ofrojmë më shumë Europë edhe përpara anëtarësimit të plotë”, tha Kos.

Komisionerja theksoi se integrimi gradual nuk synon të zëvendësojë procesin e anëtarësimit.

Reklamë InterMedika

“Ky nuk është zëvendësim për anëtarësimin. Është një mënyrë që një vend kandidat, i cili plotëson kriteret për integrim në fusha të caktuara, të mund të përfitojë prej tij edhe përpara se të bëhet anëtar i plotë”, u shpreh ajo.

Si shembull të kësaj qasjeje, Kos përmendi SEPA-n, Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, ku tashmë janë integruar disa vende kandidate. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia ishin ndër partnerët e parë të zgjerimit që iu bashkuan skemave SEPA, duke mundësuar transferta në euro më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Një tjetër fushë ku Brukseli synon integrim përpara anëtarësimit të plotë është roaming-u. Komisioni Europian ka propozuar përfshirjen e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në sistemin europian “Roam Like at Home”, pasi vendet të përafrohen plotësisht me rregullat e BE-së.

Kos shprehu optimizëm edhe për ecurinë e procesit të zgjerimit, duke e cilësuar vitin 2026 si një periudhë me ritëm të lartë në negociatat me vendet kandidate.

“Ky vit është vërtet viti i zgjerimit dhe veçanërisht kjo vjeshtë do të jetë vjeshta e zgjerimit”, tha ajo.

Komisionerja veçoi Malin e Zi si vendin më të avancuar në proces, ndërsa vlerësoi pozitivisht edhe ecurinë e Shqipërisë.

“Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013, kemi Malin e Zi me një perspektivë reale për t’u bërë anëtar i BE-së. Po ashtu, Shqipëria po përparon shumë mirë”, deklaroi Kos.

Sipas saj, ritmi aktual i zgjerimit është ndër më të lartët që Bashkimi Europian ka parë që prej anëtarësimit të Kroacisë.