Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë këtë të enjte në Kosovë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, të cilin e nisi një ditë më parë në Tiranë. Gjatë vizitës në Prishtinë, ajo pritet të zhvillojë takime me drejtuesit e institucioneve të Kosovës.
Përpara mbërritjes së saj, një grup të rinjsh është vendosur pranë terminalit ku pritet të ulet avioni i presidentes së Komisionit Evropian, duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Jo në emrin tim”.
Mesazhi lidhet me protestat që po zhvillohen në Kosovë kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Për këtë të enjte është paralajmëruar edhe një marsh në Prishtinë me të njëjtën moto, i organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Marshi pritet të nisë në orën 16:00, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve. Protesta vjen pas vendimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara, i cili nuk është ende përfundimtar.
Sipas agjendës së Komisionit Evropian, von der Leyen do të takohet në Prishtinë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti. Vizita e saj në Kosovë është pjesë e turit rajonal që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me fokus procesin e integrimit evropian dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.


