Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se nuk janë konsultuar lidhur me nismën në Kosovë për ndryshimin e ligjit mbi të cilin funksionon kjo gjykatë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Dhomat e Specializuara u shprehën shkurt se nuk kanë qenë pjesë e konsultimeve, ndërsa theksuan se nuk komentojnë iniciativa politike.
“Me ne nuk janë konsultuar”, thuhet në përgjigjen e institucionit për REL-in.
Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u paraqit nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator dhe më pas iu dërgua Qeverisë për mendim. Aktualisht ajo është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti.
Projektligji vjen pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata u shpallën fajtorë në shkallë të parë për akuza për krime lufte, ndërsa aktgjykimi nuk është përfundimtar dhe pritet të kalojë në proces apelimi.
Vendimi u pasua nga protesta në Prishtinë dhe kërkesa për ndryshimin ose shfuqizimin e ligjit të Dhomave të Specializuara.
Sipas dokumentit të propozuar nga PDK-ja, ndër ndryshimet e kërkuara është kufizimi i dënimit maksimal në 15 vjet burg, mundësia që personat e dënuar të përfitojnë nga falja presidenciale, si dhe ekzekutimi i dënimeve në Kosovë. Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në juridiksionin dhe periudhën kohore që mbulon Gjykata Speciale.
Megjithatë, ekspertë juridikë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e realizimit të këtyre ndryshimeve dhe efektin që ato mund të kenë mbi çështjet aktualisht në proces.
Qeveria e Kosovës e ka marrë projektligjin për mendim më 25 shtator dhe, sipas procedurës së raportuar nga REL, ka një afat prej 30 ditësh për t’iu përgjigjur Kuvendit.


