Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian avancimin e procesit të integrimit të Kosovës, duke deklaruar se vendi i plotëson kriteret për të marrë statusin kandidat dhe për të ecur drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Kërkesa u bë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë, pjesë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se vizita e von der Leyen në rajon fokusohet te hapat e ardhshëm në rrugën drejt BE-së dhe procesi i integrimit gradual.
“Bazuar në meritat, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, deklaroi Kurti, duke kërkuar mbështetjen e presidentes së Komisionit Evropian për avancimin e çështjes në institucionet e BE-së.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022, por deri më tani nuk ka marrë statusin kandidat. Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian, Kosova vijon të klasifikohet si “potential candidate”, ose vend potencial kandidat.
Kurti kërkoi gjithashtu që Komisioni Evropian të japë opinionin e tij mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Sipas tij, integrimi gradual në politikat dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian duhet të shërbejë si pjesë e rrugës drejt anëtarësimit të plotë dhe jo si alternativë ndaj tij.
Kryeministri kosovar theksoi se Prishtina ka bërë përparim në reformat e lidhura me procesin evropian dhe përmendi edhe harmonizimin e Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Një tjetër kërkesë e Kurtit lidhet me anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, me synimin për të lehtësuar transportin e mallrave dhe për të ulur kostot e tregtisë me vendet evropiane.
Konventa mundëson procedura të përbashkëta tranziti mes vendeve të BE-së dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse, duke thjeshtuar lëvizjen ndërkufitare të mallrave. Aktualisht në të marrin pjesë, ndër të tjera, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Moldavia, Ukraina, Turqia dhe vendet e EFTA-s. Kosova nuk figuron ende në listën e vendeve pjesëmarrëse të publikuar nga Komisioni Evropian.
Kurti u ndal edhe te zbatimi i reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një instrument prej 6 miliardë eurosh që synon të përshpejtojë reformat, integrimin ekonomik dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Vizita e von der Leyen në Prishtinë zhvillohet në një moment kur Brukseli po kërkon përshpejtimin e reformave në Kosovë. Edhe gjatë vizitës së saj në maj, komisionerja për Zgjerimin Marta Kos kishte theksuar nevojën për reforma të shpejta dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani i Rritjes.


