Efektivë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcave të Armatosura shqiptare morën pjesë në stërvitjen shumëkombëshe “Clever Ferret 2026”, e zhvilluar në Postojna të Sllovenisë, në kuadër të Nismës Rajonale të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes (DECI).
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se në këtë aktivitet stërvitor, krahas trupave shqiptare, u angazhuan edhe efektivë ushtarakë nga Italia, Hungaria dhe Sllovenia.
Stërvitja kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes vendeve pjesëmarrëse, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përmirësimin e aftësive të forcave për të vepruar në mënyrë të koordinuar gjatë operacioneve të përbashkëta.
Sipas ministrit Nufi, pjesëmarrja në aktivitete të tilla përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve operacionale dhe rritjen e gatishmërisë së Forcave të Armatosura shqiptare.
“Përmes angazhimit në stërvitje të përbashkëta shumëkombëshe, Forcat e Armatosura rrisin ndërveprueshmërinë, konsolidojnë kapacitetet operacionale dhe forcojnë gatishmërinë për të vepruar së bashku me aleatët dhe partnerët”, deklaroi Nufi.
Ministri vlerësoi gjithashtu profesionalizmin dhe përgatitjen e efektivëve shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e kontributit të tyre në nismat e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes.
“Pjesëmarrja e efektivëve shqiptarë në Clever Ferret 2026 është dëshmi e profesionalizmit, përgatitjes dhe angazhimit të tyre për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, u shpreh ai.
Stërvitja “Clever Ferret 2026” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse në nismën DECI, e cila synon forcimin e koordinimit dhe të kapaciteteve të përbashkëta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Angazhimi i trupave shqiptare në këtë stërvitje është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar përgatitjen operacionale dhe për të thelluar bashkëpunimin me forcat e vendeve aleate dhe partnere.


