Shqipëria dhe Kosova drejt marrëveshjeve të reja në shëndetësi, Spahiu: Të zgjerojmë shërbimet për qytetarët

22 Nov 2026 • 14:01
Shpërndaje:

Shqipëria dhe Kosova synojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në sektorin e shëndetësisë, përmes forcimit të kapaciteteve spitalore, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe krijimit të mundësive të reja për trajtimin e pacientëve në të dyja anët e kufirit.

Këto çështje ishin në qendër të vizitës së parë zyrtare jashtë vendit të ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, e cila zgjodhi Kosovën për të diskutuar mbi zgjerimin e shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në kujdesin e specializuar.

Ministrja Spahiu vizitoi Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ku u prit nga homologu i saj kosovar, Arben Vitia, si dhe nga personeli mjekësor i institucionit.

Reklamë Ola

Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan mundësitë për zhvillimin e një modeli më të integruar bashkëpunimi, i cili do të mundësonte plotësimin e ndërsjellë të shërbimeve shëndetësore dhe përdorimin më efikas të kapaciteteve ekzistuese spitalore.

Në fokus ishte veçanërisht nevoja për t’u ofruar qytetarëve shërbime të specializuara sa më pranë vendbanimit, duke shmangur udhëtimet e panevojshme dhe kostot shtesë për pacientët dhe familjarët e tyre.

Reklamë InterMedika

Ministrja Spahiu shprehu mirënjohje për institucionet dhe personelin shëndetësor të Kosovës, të cilët prej kohësh ofrojnë shërbime mjekësore për pacientët nga zonat verilindore të Shqipërisë, përfshirë Tropojën, Hasin dhe Krumën.

Ajo theksoi se spitalet e Gjakovës, Prizrenit dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Prishtinë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në trajtimin e pacientëve shqiptarë që nuk kanë mundur të marrin shërbime të caktuara në institucionet shëndetësore pranë vendbanimit të tyre.

Duke iu referuar vizitave të fundit në spitalin e Kukësit dhe spitalin ditor të Hasit, Spahiu nënvizoi nevojën për investime dhe forcimin e kapaciteteve të spitaleve rajonale në Shqipëri.

“Kam bërë një vizitë kohët e fundit në spitalin e Kukësit dhe në spitalin ditor të Hasit. Kam parë aty nevojat që ato kanë, dhe për këtë ju jam shumë mirënjohëse, që ju keni realizuar që ato shërbimet e munguara që janë atje të merren në mënyrë të përkryer në spitalin e Gjakovës, të Prizrenit dhe në spitalin universitar të Prishtinës”, u shpreh ministrja.

Një nga shërbimet që ajo veçoi si prioritet për forcimin e kapaciteteve ishte dializa, për të cilën një pjesë e pacientëve nga Shqipëria udhëtojnë drejt Kosovës.

Sipas Spahiut, zgjerimi i këtij shërbimi në spitalin e Kukësit do të krijonte mundësi që pacientët të trajtoheshin më pranë vendbanimit, duke reduktuar nevojën për lëvizje të shpeshta ndërkufitare.

“Ndoshta është momenti që edhe ne të forcojmë kapacitetet tona në disa shërbime, si për shembull shërbimin e dializës, në mënyrë që edhe ata pacientë që vijnë këtu ta marrin shërbimin në spitalin e Kukësit dhe anasjelltas”, deklaroi ajo.

Ministrja theksoi se bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm në trajtimin e pacientëve shqiptarë në Kosovë, por të zhvillohet në mënyrë të ndërsjellë, duke krijuar mundësi që edhe qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga shërbimet e specializuara të spitaleve në Shqipëri.

Një qasje e tillë synon të përmirësojë shfrytëzimin e kapaciteteve spitalore dhe të krijojë një rrjet më funksional të shërbimeve shëndetësore mes dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, vlerësoi vizitën e homologes shqiptare dhe shprehu gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin përmes marrëveshjeve konkrete.

Vitia theksoi se institucionet shëndetësore të të dy vendeve duhet të punojnë për krijimin e mekanizmave që do të lehtësojnë trajtimin e pacientëve dhe do të përmirësojnë aksesin në shërbime mjekësore.

“Pres me padurim që përtej pjesës së shërbimeve të kemi edhe marrëveshje konkrete në të cilat u dakorduam që sa më shpejt të fillojmë dhe të punojmë në to, në mënyrë që këto marrëveshje t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit”, deklaroi Vitia.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu rëndësia e shkëmbimit të përvojave mes profesionistëve të shëndetësisë dhe forcimit të bashkëpunimit institucional, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve të spitaleve rajonale.

Vizita në Gjakovë shënon një hap drejt konkretizimit të bashkëpunimit shëndetësor mes Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht për zonat kufitare, ku afërsia gjeografike e institucioneve spitalore mund të lehtësojë ndjeshëm aksesin e pacientëve në trajtim.

Dy ministrat shprehën angazhimin për të vijuar punën për marrëveshje të reja, të cilat synojnë zgjerimin e shërbimeve të specializuara dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët e të dy vendeve.

Objektivi i përbashkët mbetet krijimi i një bashkëpunimi më të qëndrueshëm ndërmjet sistemeve shëndetësore të Shqipërisë dhe Kosovës, në mënyrë që pacientët të marrin shërbimet e nevojshme me më pak pengesa dhe sa më pranë vendbanimit të tyre.