Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Këshillit të Bashkimit Europian të kërkojë nga Komisioni Europian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Gjatë takimit ministror të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të zhvilluar në Athinë, Konjufca theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian duhet të jetë i besueshëm, gjithëpërfshirës dhe i bazuar në meritat e secilit vend kandidat apo aspirant.
Sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë mundësi të barabarta për të avancuar drejt integrimit europian, në përputhje me reformat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura.
Kreu i diplomacisë kosovare vuri në dukje përparimin e Kosovës në reformat demokratike, si dhe përputhjen e plotë të politikës së saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Europian.
Konjufca theksoi gjithashtu gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në misionet dhe operacionet e BE-së, duke e cilësuar këtë angazhim si dëshmi të orientimit të saj europian.
“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian, si përmes reformave, ashtu edhe përmes qëndrimit të saj të palëkundur në mbështetje të politikave të BE-së. Tani është koha që ky përkushtim të përcillet me hapa konkretë nga BE, duke i mundësuar Kosovës të ecë përpara në procesin e anëtarësimit, njësoj si vendet e tjera të rajonit”, deklaroi Konjufca.
Ai kërkoi që institucionet europiane të ndërmarrin hapa konkretë për trajtimin e aplikimit të Kosovës, duke nisur me përgatitjen e opinionit nga Komisioni Europian, një procedurë e rëndësishme në shqyrtimin e kërkesave për anëtarësim.
Kosova e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2022, por pothuajse katër vjet më vonë, kërkesa ende nuk ka avancuar drejt fazës së vlerësimit nga Komisioni Europian.
Thirrja e Konjufcës në Athinë vjen në kuadër të diskutimeve për të ardhmen e zgjerimit të BE-së dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kosova synon që aplikimi i saj të trajtohet në bazë të reformave dhe përmbushjes së kritereve europiane, duke kërkuar të mos mbetet jashtë hapave të mëtejshëm të procesit të zgjerimit.


