Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë fiton çmim në GEW Albania Hackathon 2026 me ekipin “Shqipet”

22 Nov 2026 • 02:27
Shpërndaje:

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është shpallur fitues i një prej çmimeve të hackathonit “Sprint2Pilot · GEW Albania Hackathon 2026”, me ekipin “Shqipet”, duke spikatur mes skuadrave pjesëmarrëse me idetë dhe punën e zhvilluar gjatë këtij aktiviteti.

Aktiviteti u zhvillua më 20 dhe 21 nëntor në ambientet e InnovationHub Piramida, ku Universiteti Mesdhetar u përfaqësua nga dy ekipe. Gjatë dy ditëve intensive, pjesëmarrësit punuan për zgjidhjen e sfidave konkrete që lidhen me Shqipërinë, duke kaluar nga konceptimi i ideve te ndërtimi i prototipeve dhe zhvillimi i projekteve pilot.

Përfaqësuesit e universitetit e kanë cilësuar këtë rezultat si një sukses të përbashkët, duke vlerësuar jo vetëm ekipin fitues “Shqipet”, por edhe grupin tjetër pjesëmarrës, i cili kontribuoi me ide, kreativitet dhe angazhim gjatë gjithë aktivitetit.

Reklamë Ola

Një vlerësim i veçantë u është përcjellë gjithashtu organizatorëve të GEW Albania, Innovation4Albania, mentorëve, jurisë dhe të gjitha skuadrave pjesëmarrëse për kontributin në këtë eksperiencë inovative.

Ky çmim përbën një tjetër arritje për Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe një motivim për të rinjtë që të vijojnë të zhvillojnë ide novatore, të përballen me sfida të reja dhe t’i kthejnë projektet e tyre në zgjidhje konkrete.

Reklamë InterMedika