Banka Botërore: Shqipëria mund të tërheqë 929 milionë dollarë investime dhe të krijojë deri në 18 mijë vende pune

23 Nov 2026 • 17:40
Shpërndaje:

Shqipëria ka potencialin të mobilizojë deri në 929 milionë dollarë investime private dhe të krijojë nga 13 mijë deri në 18 mijë vende të reja pune në periudhën afatmesme, kryesisht në sektorët e agroturizmit, menaxhimit të mbetjeve dhe digjitalizimit të pagesave.

Këto janë gjetjet kryesore të raportit të ri të Grupit të Bankës Botërore, “Diagnostikimi i Sektorit Privat në Shqipëri”, i publikuar sot, i cili identifikon mundësitë për zhvillimin e ekonomisë përmes investimeve private dhe reformave strukturore.

Sipas raportit, mobilizimi i kapitalit privat është thelbësor për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, përafrimin me standardet e Bashkimit Europian dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Reklamë Ola

Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, Massimiliano Paolucci, theksoi se vendi mund të përfitojë nga kërkesa në rritje për turizëm, zhvillimi i ekonomisë qarkulluese dhe përparimi i reformave në sektorin e pagesave digjitale.

“Për ta realizuar këtë nevojiten reforma konkrete, që u ofrojnë investitorëve rregulla më të qarta, informacion më të besueshëm për tregun dhe më shumë siguri për të investuar kapitalin e tyre”, deklaroi Paolucci.

Reklamë InterMedika

Një nga sektorët me potencial të konsiderueshëm është agroturizmi, i cili mund të ndihmojë në zgjerimin e ofertës turistike përtej zonave bregdetare dhe sezonit veror. Sipas Bankës Botërore, investimet në këtë sektor mund të forcojnë lidhjet mes bujqësisë dhe turizmit, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe burime të ardhurash për komunitetet rurale.

Megjithatë, raporti evidenton disa pengesa që kufizojnë zhvillimin e agroturizmit, përfshirë mangësitë në proceset e certifikimit, mungesën e informacionit të besueshëm për tregun, vështirësitë në sigurimin e punonjësve të kualifikuar dhe zbatimin jo të njëtrajtshëm të rregullave.

Një tjetër sektor me mundësi për tërheqjen e investimeve private është menaxhimi i mbetjeve. Banka Botërore identifikon potencial në grumbullimin, trajtimin, riciklimin dhe rikuperimin e materialeve, duke theksuar nevojën për krijimin e një kuadri më të qartë dhe më të qëndrueshëm për përfshirjen e biznesit privat.

Sipas raportit, investimet në këtë fushë kërkojnë procedura më të parashikueshme për lejet, kontrata afatgjata dhe të dhëna të besueshme mbi sasitë dhe përbërjen e mbetjeve.

Ndërkohë, digjitalizimi i pagesave vlerësohet si një mundësi për të nxitur formalizimin e ekonomisë, përfshirjen financiare dhe rritjen e produktivitetit. Zgjerimi i përdorimit të pagesave elektronike mund të krijojë hapësira të reja zhvillimi për bankat, kompanitë fintech dhe sipërmarrjet teknologjike.

Raporti vëren se, pavarësisht përparimit ekonomik të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit, një sërë pengesash vazhdojnë të kufizojnë investimet private. Mes tyre përmenden informaliteti, mungesa e aftësive profesionale, qasja e kufizuar në financim, mangësitë infrastrukturore dhe dobësitë në zbatimin e legjislacionit.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri është rritur nga 24% e mesatares së Bashkimit Europian në vitin 2008, në 41% në vitin 2025, duke reflektuar një proces gradual të afrimit ekonomik me vendet e BE-së.

Megjithatë, Banka Botërore thekson se për të përshpejtuar këtë proces nevojiten reforma që përmirësojnë klimën e biznesit, rrisin sigurinë për investitorët dhe krijojnë kushte për zhvillimin e sektorëve me potencial të lartë.

Vlerësimi për mobilizimin e deri në 929 milionë dollarëve investime private dhe krijimin e mijëra vendeve të reja të punës përfaqëson një potencial ekonomik, realizimi i të cilit do të varet nga zbatimi i reformave dhe aftësia e vendit për të tërhequr kapital në sektorët e identifikuar.