Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje vendeve anëtare të NATO-s të shtojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore, ndërsa vendi përgatitet për muajt e dimrit dhe përballet me sulmet e vazhdueshme ruse.
Duke iu drejtuar përmes videokonferencës Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Berlin, Zelensky theksoi se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është një domosdoshmëri për të përballuar kërcënimet ajrore dhe për të mbrojtur vendin gjatë stinës së ftohtë.
“Ndërsa përgatitemi për këtë dimër, padyshim që kemi nevojë për mbështetjen tuaj. Prioriteti ynë numër një është mbrojtja ajrore. Na duhen sisteme Patriot”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelensky nënvizoi se sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, veçanërisht ato amerikane Patriot, mbeten thelbësore për forcimin e sigurisë së Ukrainës.
Sipas tij, sa më e fuqishme të jetë mbrojtja ajrore ukrainase, aq më të kufizuara do të jenë mundësitë e Rusisë për të dobësuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Gjatë fjalës së tij, presidenti ukrainas u ndal edhe te përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës, duke shprehur shpresën për zhvillimin sa më të shpejtë të negociatave trepalëshe mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Deklaratat vijnë pas raportimeve se presidenti amerikan Donald Trump synon arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit deri në muajin janar.
Zelensky theksoi se çdo takim i mundshëm duhet të paraprihet nga një koordinim i ngushtë mes palëve dhe nga përcaktimi i një agjende të përbashkët.
“Duhet të shkojmë në këtë takim me një agjendë të qartë, të dakorduar nga të gjithë ne. Përgatitja e fortë dhe e përbashkët do të sjellë rezultate të forta”, u shpreh ai.
Thirrja e presidentit ukrainas vjen në një moment kur Kievi po përgatitet për sfidat e dimrit, ndërsa sulmet ruse vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit.
Për Zelenskyn, forcimi i mbrojtjes ajrore dhe koordinimi diplomatik me partnerët perëndimorë mbeten dy përparësi kryesore, si për përballimin e situatës në terren, ashtu edhe për përgatitjen e negociatave të mundshme për paqe.


