Presidenti amerikan Donald Trump mbylli natën e parë të konventës republikane për zgjedhjet e mesmandatit me një fjalim që zgjati rreth një orë e 45 minuta, duke u kërkuar votuesve të mbështesin kandidatët e partisë sikur vetë emri i tij të ishte në fletën e votimit.
Një nga premtimet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ai për t’i dhënë çdo të rrituri amerikan 5 mijë dollarë në rast se republikanët fitojnë zgjedhjet.
Trump e paraqiti votimin si vendimtar për vazhdimin e politikave të administratës së tij dhe sulmoi vazhdimisht demokratët, të cilët i quajti “komunistë”, duke pretenduar se një fitore e tyre do të rrezikonte politikat e tij për kufirin, taksat dhe sigurinë.
“Nëse humbasim, ju do të humbni kufirin, uljen e taksave, sigurinë…”, deklaroi Presidenti.
Fjalimi u shoqërua edhe me një sërë batutash. Duke folur për kandidatin republikan për Senatin, Ken Paxton, Trump tha se shumë njerëz mund të mos e pëlqejnë “mënyrën se si vishet”, “mënyrën se si flet” apo “mënyrën se si duket”, por u kërkoi votuesve ta mbështesin, duke e cilësuar atë si “prokurorin e përgjithshëm më të madh në historinë e Teksasit”.
Presidenti bëri shaka gjithashtu me emërtimet gjeografike, duke sugjeruar që “New Mexico” të quhej “Amerika e Re”, ndërsa Ngushticën e Hormuzit e quajti me humor “Ngushtica e Trump”.
Gjatë fjalimit, Trump improvizoi shpesh dhe kaloi nga një temë në tjetrën, përpara se të rikthehej te fjalimi i përgatitur në teleprompter. Ai iu referua këtij stili si “endje”, duke bërë shaka se nëse një ditë nuk arrin të rikthehet te pika fillestare, atëherë publiku do ta kuptojë se ai “ka ikur”.
Trump njoftoi gjithashtu se gjatë dy muajve të ardhshëm synon të zhvillojë tubime në secilin prej 35 shteteve dhe distrikteve të konsideruara vendimtare për zgjedhjet, ndërsa disa prej tyre planifikon t’i vizitojë dy ose tre herë për të mbështetur kandidatët republikanë.
Presidenti u ankua se arritjet e administratës së tij, nga emigracioni te ekonomia, nuk po marrin sipas tij vëmendjen e merituar nga mediat.
Përveç premtimit për pagesën prej 5 mijë dollarësh, Trump deklaroi se synon t’i bëjë të përhershme uljet e taksave, të reformojë sistemin e sigurimeve shëndetësore dhe të detyrojë kompanitë e sigurimeve të bëjnë të qarta paraprakisht kostot për pacientët, në mënyrë që ata të mos përballen më pas me fatura të papritura.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua kostos së jetesës dhe inflacionit. Trump mbrojti gjithashtu luftën kundër Iranit, pavarësisht rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve që ka shoqëruar konfliktin.
“Kur vijnë duke u ankuar se çmimet janë rritur, unë bëj një pyetje të thjeshtë: A mund të ketë Irani një armë bërthamore? Ata thonë, ‘Absolutisht jo’. Por atëherë kam të drejtë!”, deklaroi ai.
Një tjetër moment surprizë i mbrëmjes ishte paraqitja e senatorit demokrat të Pensilvanisë, John Fetterman, i cili prezantoi kolegun republikan nga i njëjti shtet, David McCormick. Fetterman e përdori daljen për të argumentuar se bashkëpunimi mes dy partive mbetet i mundur.
Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të përsëritura të Trump se arena ishte e mbushur dhe se kishte njerëz në radhë jashtë saj, në stadium u vunë re edhe vende bosh. Presidenti u kërkoi pjesëmarrësve të mos u besonin raportimeve të atyre që ai i cilësoi si “media të rreme” lidhur me pjesëmarrjen.
Republikanët që morën fjalën gjatë konventës pranuan shqetësimet e amerikanëve për inflacionin dhe koston e jetesës, por paraqitën uljet e taksave dhe ecurinë pozitive të tregjeve si argumente në favor të politikave të tyre. Ata paralajmëruan se një fitore e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve ose Senat do të përkeqësonte situatën ekonomike.
Konventa vijon me ditën e dytë, ku mes folësve të planifikuar janë edhe J.D. Vance dhe Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Robert Kennedy, ndërsa Trump pritet të rikthehet me një tjetër fjalim përmbyllës, këtë herë më të shkurtër.


