Nxënësit do të kenë një mënyrë të re për të kërkuar ndihmë përballë bullizmit, ngacmimeve dhe dhunës në shkolla, përmes platformës online “Save Youth”.
Nisma, e ideuar nga vetë nxënësit dhe e zhvilluar nga Agjencia për Inovacion, me ndërmjetësimin e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR), u prezantua në gjimnazin “Sevasti Qiriazi”.
Në aktivitet mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili tha se platforma synon ta bëjë më të lehtë raportimin dhe t’i ndihmojë nxënësit të ndihen të dëgjuar.
“Teknologjia nuk zëvendëson marrëdhënien njerëzore, mbështetjen e shokut, prindit, mësuesit apo psikologut, por krijon një urë drejt tyre, sidomos për fëmijët që e kanë të vështirë të flasin”, theksoi ministri.
Platforma do të kalojë fillimisht në një fazë testimi dhe vlerësimi të ndikimit. Më pas, synohet shtrirja e saj edhe në shkolla të tjera të Tiranës.
Gogu e cilësoi nismën si një shembull të kthimit të ideve të të rinjve në zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.
“Të dëgjosh të rinjtë është detyrim, t’i kthesh idetë e tyre në zgjidhje është përgjegjësi. Sepse asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet vetëm përballë bullizmit”, shkroi ai.


