Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural financon çdo vit mbi 3 miliardë lekë për infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet, ndërsa investimet për periudhën 2025–2027 arrijnë në 10 miliardë lekë.
Shifrat u prezantuan nga ministri Andis Salla gjatë konferencës ndërkombëtare “ALBANIA WATER 2030”, ku u diskutua menaxhimi i burimeve ujore dhe përshtatja e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Në aktivitet morën pjesë ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, ambasadori i Spanjës, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të CIHEAM Zaragoza dhe ekspertë të fushës.
Salla tha se modernizimi i bujqësisë kërkon investime afatgjata dhe vendimmarrje të mbështetur në ekspertizë shkencore.
“Çdo vit, financojmë mbi 3 miliardë lekë për këto tri fusha, me synimin për të përmirësuar shërbimin ndaj fermerëve dhe për të rritur qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor”, u shpreh ai.
Sisteme moderne ujitjeje dhe më shumë kapacitete ujëmbledhëse
Ministri theksoi se ndërhyrjet duhet të shkojnë përtej rehabilitimit të infrastrukturës ekzistuese. Sipas tij, projektet duhet të mbështeten në studime shkencore, analiza të bilanceve ujore dhe teknologji të përshtatura me territorin.
Ai veçoi nevojën për rritjen e kapaciteteve ujëmbledhëse dhe kalimin drejt sistemeve të ujitjes me presion.
Si shembuj përmendi projektet e mbështetura nga Banka Botërore në Divjakë dhe në zonën Mursi–Konispol, si dhe ndërhyrjet në sistemet e kullimit në Maliq dhe Torovicë.
Bashkëpunim me Universitetin Bujqësor
Salla njoftoi gjithashtu forcimin e partneritetit me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Bashkëpunimi do të përfshijë studime të përbashkëta, identifikimin e problemeve në terren, vlerësimin e alternativave teknike dhe monitorimin e rezultateve të investimeve.
Sipas ministrit, kjo qasje synon përdorimin më efikas të fondeve publike dhe përshtatjen e politikave me nevojat reale të fermerëve.
“Kemi përgjegjësinë që potencialin bujqësor të Shqipërisë ta shndërrojmë në më shumë prodhim dhe mirëqenie për zonat rurale”, përfundoi Salla.


