Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka propozuar katër masa për forcimin e garancive procedurale për të miturit që vijnë në kontakt me organet ligjzbatuese.
Gjatë tryezës së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ai kërkoi që përgjegjësia për veprimet e kryera të shoqërohet me respektimin e të drejtave të fëmijëve.
Propozimet përfshijnë:
- Dhënien përpara marrjes në pyetje të një formulari të të drejtave, të shkruar në gjuhë të kuptueshme për fëmijët.
- Garantimin pa vonesë të një avokati, në përputhje me ligjin.
- Njoftimin e hershëm të punonjësit të mbrojtjes së fëmijës.
- Krijimin e të dhënave të përbashkëta ndërinstitucionale për zbatimin e këtyre garancive.
“Protesta paqësore mbrohet. Dhuna ka përgjegjësi. Në këtë përgjigje, Ministria e Drejtësisë mban një pjesë të veçantë: fëmijën”, deklaroi Gogu.
Ministri njoftoi se projekti i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për të Miturit 2027–2030, i hartuar me asistencën teknike të UNICEF-it, është në konsultim publik deri më 22 nëntor. Ai propozoi përfshirjen e vetë fëmijëve në këtë proces, në kuadër të Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijës, më 20 nëntor.
Gogu tha gjithashtu se po punohet për transformimin e institutit për të miturit drejt një modeli të përqendruar tek arsimi, rehabilitimi dhe rikthimi në familje.
Paralelisht, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për arsimin, rendin dhe shëndetësinë, po hartohen plane për parandalimin e dhunës dhe situatave të rrezikshme në shkolla.
“Drejtësia duhet të arrijë te fëmija, edhe kur familja e tij nuk ka avokat, nuk ka lidhje, apo nuk di ku të trokasë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, synimi duhet të jetë që i mituri të largohet nga kontakti me drejtësinë me mundësi për shkollim, profesion dhe mbështetje familjare, në vend që të mbetet vetëm me një dosje penale.


