Komisioni Evropian do të organizojë të mërkurën bisedime me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe aleatëve kryesorë europianë për rindërtimin pas luftës dhe të ardhmen ekonomike të Ukrainës.
Zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, konfirmoi të martën se në takim do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Franca, Gjermania, Britania e Madhe, NATO dhe Banka Botërore.
Sipas një zyrtari të BE-së, i cili foli për POLITICO-n në kushte anonimiteti, diskutimet do të përfshijnë garancitë e sigurisë për Ukrainën, financimin e rindërtimit dhe çështje të tjera që lidhen me të ardhmen e vendit.
Takimi pason bisedimet e zhvilluara muajin e kaluar në Miami dhe Oslo, ku morën pjesë kryesisht të njëjtët përfaqësues. Pinho tha se diskutimet do të mbështeten në punën e nisur në Miami për arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
BE-ja do të përfaqësohet nga këshilltarë të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë të tjerë të lartë, por përbërja e delegacionit nuk u bë publike. Në takimet e mëparshme, përfaqësues i Bashkimit Evropian ishte Bjoern Seibert, shefi i kabinetit të presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen.
Pinho nuk konfirmoi as pjesëmarrësit nga pala amerikane, pas pyetjeve për praninë e mundshme të të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff.
“Ende nuk mund ta konfirmoj. Duhet të presim pak për këtë informacion”, deklaroi ajo.


