KE vlerëson Shqipërinë: Përparim në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit
Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri për vitin 2026, ku vlerëson se vendi ka vijuar zbatimin e reformës në drejtësi dhe Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, duke shënuar progres në disa fusha kyçe, ndërsa evidenton edhe një sërë sfidash që mbeten të pazgjidhura.
Sipas raportit, procesi i rivlerësimit kalimtar (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve është përfunduar plotësisht pas mbylljes së fazës së apelimit, duke forcuar më tej pavarësinë, integritetin dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë.
Komisioni Evropian vlerëson gjithashtu përparimin në integrimin e standardeve të vettingut në sistemin e zakonshëm të drejtësisë, përfshirë rishikimin e procedurave për emërimin e anëtarëve jomagjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Megjithatë, raporti thekson se Inspektori i Lartë i Drejtësisë vazhdon të funksionojë me mungesa të konsiderueshme në numrin e magjistratëve-inspektorë, ndërsa përpjekjet për ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve kanë vijuar edhe gjatë vitit.
Sipas KE-së, mbeten gjithashtu sfida në realizimin në kohë dhe me cilësi të vlerësimeve profesionale të gjyqtarëve, ndonëse është përmirësuar cilësia e trajnimeve dhe është ulur pjesërisht numri i çështjeve të prapambetura. Raporti nënvizon se ende nuk është funksional plotësisht sistemi modern elektronik i menaxhimit të çështjeve gjyqësore.
Në fushën e luftës kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Strategjia Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe plani i veprimit janë në zbatim, ndërsa kuadri ligjor është përafruar më tej me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Një vlerësim pozitiv i kushtohet edhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila, sipas raportit, ka vijuar të japë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke ndërtuar një histori të qëndrueshme hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh.
Megjithatë, raporti evidenton se koordinimi mes institucioneve të parandalimit të korrupsionit dhe strukturave të zbatimit të ligjit mbetet i dobët. Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të konsiderohen të larta në Policinë e Shtetit, në prokurimet publike dhe në sektorë të tjerë me risk të lartë.
Komisioni Evropian vlerëson se është përmirësuar transparenca dhe efektiviteti i verifikimit të deklaratave të pasurisë dhe interesave nga ILDKPKI, por thekson se ende ekzistojnë mangësi në këtë proces.
Në kapitullin për median, raporti ngre shqetësime për pavarësinë e autoritetit rregullator dhe të transmetuesit publik, duke argumentuar se procedurat e emërimit dhe lidhjet politike të anëtarëve të bordeve vazhdojnë të ndikojnë në pavarësinë institucionale.
Komisioni vëren se janë ndërmarrë hapa për rritjen e transparencës së pronësisë së mediave, por përqendrimi i tregut mediatik dhe ndikimi i grupeve të biznesit me lidhje politike mbeten shqetësime serioze. Gjithashtu, ndarja e reklamave dhe fondeve shtetërore për median nuk konsiderohet ende e garantuar në mënyrë të drejtë.
Raporti evidenton gjithashtu se vazhdojnë mangësitë në garantimin e së drejtës për informim, ndërsa gazetarët përballen ende me kërcënime verbale e fizike, fushata shpifëse dhe padi strategjike (SLAPP). Si zhvillim pozitiv përmendet dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes për gazetarët e regjistruar.
Në aspektin institucional, Komisioni Evropian shpreh shqetësim për cilësinë e procesit legjislativ, duke theksuar se politikëbërja e bazuar në prova dhe konsultimet publike nuk zbatohen gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme. Gjithashtu, polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e Kuvendit.
Nga ana tjetër, raporti vlerëson se Gjykata Kushtetuese ka vijuar të ushtrojë në mënyrë efektive rolin e saj në ruajtjen e balancës institucionale. Po ashtu, përmendet emërimi i Avokatit të ri të Popullit dhe Komisionerit të ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Komisioni Evropian konstaton se organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të veprojnë lirisht në Shqipëri, por thekson se ato përballen ende me sfida si diskreditimi publik, mungesa e transparencës në hartimin e politikave, konsultimet e pabarabarta me institucionet dhe kufizimet në sigurimin e burimeve financiare.







