×
Friday, July 17, 2026

Hovenier: Ngërçi politik po dëmton Kosovën, marrëdhëniet me SHBA-në duhen rikthyer sa më shpejt

July 17, 2026


Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se kriza politike në Kosovë po pengon avancimin e vendit në prioritetet strategjike dhe po ndikon negativisht në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier theksoi se Kosovës i nevojiten urgjentisht institucione funksionale dhe u bëri thirrje forcave politike të gjejnë kompromis për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, një nga pasojat konkrete të përkeqësimit të marrëdhënieve me Uashingtonin është pezullimi i Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Hovenier u shpreh se, nëse Prishtina synon të rikthejë marrëdhëniet me administratën e presidentit Donald Trump, duhet të veprojë me shpejtësi në dy çështje kryesore: përfshirjen në projektet rajonale të gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe adresimin e shqetësimeve që lidhen me komunitetin serb, në koordinim me SHBA-në dhe Bashkimin Europian.

“Vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafundme. Për këtë arsye, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, deklaroi Hovenier.

Ish-ambasadori amerikan paralajmëroi se administrata amerikane pret hapa konkretë nga autoritetet në Prishtinë, duke theksuar se pa institucione funksionale Kosova do ta ketë të vështirë të ecë përpara në procesin e integrimit europian, në dialogun me Serbinë, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në forcimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë.




Comments are closed.