Lideri i ri i Partisë Laburiste, Andy Burnham, e mbylli fjalimin e tij të parë në krye të forcës politike me një premtim për të rikthyer shpresën dhe besimin e qytetarëve britanikë, duke deklaruar se qeveria e tij do të fokusohet te rezultatet konkrete.
Duke iu drejtuar mbështetësve, Burnham pranoi se gjatë karrierës së tij politike ka bërë edhe gabime, por theksoi se ka punuar gjithmonë me përkushtim dhe ka mësuar nga përvojat e tij.
“Por unë gjithmonë kam dhënë gjithçka nga vetja”, tha ai, duke shtuar se me kalimin e kohës ka dëgjuar, ka mësuar dhe shpreson se është përmirësuar si rezultat i këtyre përvojave.
Lideri i ri i Laburistëve deklaroi se ka një vizion të qartë për drejtimin e vendit.
“Unë e di se çfarë besoj dhe çfarë dua të bëj. Unë kam një plan”, u shpreh Burnham.
Ai premtoi se nën drejtimin e tij Partia Laburiste do të punojë për t’u rikthyer qytetarëve besimin dhe optimizmin për të ardhmen.
“Unë besoj tek të gjithë ju dhe jam i bindur se mund ta bëjmë”, deklaroi ai, mes duartrokitjeve dhe ovacioneve të mbështetësve.
Burnham prezantoi edhe prioritetet e para të mandatit të tij, duke theksuar se synon të transferojë më shumë kompetenca nga institucionet qendrore në Westminster dhe Whitehall drejt komuniteteve lokale.
Sipas tij, qytetarët duhet të kenë më shumë kontroll mbi vendimmarrjen që ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre, në mënyrë që shërbimet publike të jenë më efikase dhe më të përballueshme.
Lideri laburist u shpreh gjithashtu se mbështet biznesin dhe premtoi se do të punojë për forcimin e ekonomisë përmes riindustrializimit, zgjerimit të kompetencave lokale dhe përmirësimit të sistemit arsimor.
“Njerëzit presin që ne të japim rezultate dhe ne do t’i japim”, përfundoi Burnham.