×
Friday, July 17, 2026

Rama: Gati të mbështesim bizneset me deri në 1 miliard euro, kredi deri në 2 milionë euro me interesa 2-3%

July 17, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të zgjerojë programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde” deri në një fond prej 1 miliard eurosh, me qëllim mbështetjen financiare të bizneseve të vogla dhe të mesme.

Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit, Rama tha se pritshmëritë e qytetarëve janë rritur dhe se qeveria duhet t’u përgjigjet me instrumente konkrete për të nxitur sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik.

“Në këtë kohë, sa më pozitive të jenë shifrat për ekonominë, aq më shumë acarohen njerëzit. Sa herë të thuash se bizneset janë shtuar, do të përballesh vetëm me të kundërtën e efektit që bën një lajm i mirë. Unë për veten time kam krijuar bindjen se kjo është një shenjë shumë domethënëse e zhvillimit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, shoqëria shqiptare nuk është më e fokusuar te arritjet e së kaluarës, por te pritshmëritë për të ardhmen dhe kërkesa për më shumë mundësi.

“Kjo nuk është një shenjë e një shoqërie që nuk e sheh progresin, por e një shoqërie që kërkon shumë më tepër progres, e do tani dhe nuk do t’ia dijë se nga vjen. Gjithnjë e më pak njerëzve u intereson se ku kemi qenë. Gjithnjë e më shumë referimi te rruga e bërë, i acaron njerëzit”, tha kryeministri.

Rama theksoi se pikërisht për këtë arsye është krijuar programi i ri, i cili synon të financojë bizneset që kanë projekte të mirëstrukturuara dhe potencial për t’u zhvilluar.

“Pritshmëritë diktojnë të përditshmen e njerëzve. Pritshmëritë në terrenin e punës dhe sipërmarrjes ne kemi detyrë t’i adresojmë me më shumë instrumente, si kjo nismë. Guvernatori e ka thënë se, nëse do të duhet, do të shtojmë më shumë fonde. Jemi gati të shkojmë në 1 miliard euro mbështetje për biznesin e vogël dhe të mesëm për këdo që kërkon mbështetje financiare”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë sqaroi se fondet nuk do të shpërndahen pa kritere, por do të jepen vetëm për sipërmarrësit që paraqesin plane biznesi të besueshme dhe të miratuara nga bankat.

“Ama duhet një plan dhe këtë do ta miratojë banka. Nuk janë para që do të shkojnë t’i marrin te sporteli. Për të gjithë ata që kanë një plan, ne japim asistencën që t’i ndihmojmë që ato plane bankat t’i besojnë. Kush ka një plan, të shkojë, të aplikojë dhe të marrë lekët, deri në 2 milionë euro, me norma interesi 2-3%”, përfundoi Rama.




Comments are closed.